Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ka zbardhur dje vendimin për ndërprerjen e procesit të vetingut për gjyqtarin Ahmet Metaliaj. KPK vendosi më 30 gusht 2021, të ndërpresë procesin e vetingut për gjyqtarin e Tiranës, Ahmet Metaliaj dhe t’i heqë të drejtën për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme, pas dorëheqjes së tij nga detyra. Në vendimin e arsyetuar të KPK-së thuhet se procesi i rivlerësimit për gjyqtarin Metaliaj ka filluar në nëntor të vitit 2019. Më 11 maj Komisioni i ka njoftuar Metaliajt rezultatet e hetimit administrativ, ndërkohë një muaj më vonë subjekti ka njoftuar se ka paraqitur pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ kërkesën e tij për dorëheqje. Me vendimin e datës 6 korrik 2021, KLGJ ka deklaruar mbarimin e statusit të magjistratit për Metaliajn për shkak të dorëheqjes së tij. Megjithëse Komisioni i ka dhënë Metaliajt të drejtën për t’u dëgjuar në seancë dëgjimore, ai e ka refuzuar. Bazuar në legjislacionin për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe në jurisprudencën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, trupi gjykues i kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Valbona Shanxhaktarin dhe anëtare Brunilda Bekteshin, ka vendosur ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për gjyqtarin Ahmet Metaliaj. Gjithashtu, është vendosur edhe dallimi i emërimit të tij, si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë e Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare. Komisioni është ndalur gjatë në analizën e burimit të krijimit të apartamentit, me sipërfaqe 76 m2. Si burim financiar për blerjen e kësaj pasurie, gjyqtari Metaliaj ka deklaruar një hua të marrë nga bashkëshorti prej vëllait të tij, në shumën 35 mijë euro.






































