Vetingu, 19 gjyqtarë dhe prokurorë të fundosur nga ONM, Komisioneri Publik kundër KPK në 56 raste, ja përplasjet

0
498

Plot 56 vendime të KPK janë gjetur me probleme nga Komisioneri Publik. Për këtë sezon organet e vetingut e kanë mbyllur aktivitetin dhe në shtator do të nisë procesi. Por, nëse shohim të dhënat e Komisionerit Publik janë 19 rekomandime të ndërkombëtarëve që kanë fundosur prokurorë e gjyqtarë që për pak i shpëtuan vetingut. Ndërkohë vetë Komisioneri Publik ka bërë 56 ankimime në KPA, duke kundërshtuar konfirmimet në detyrë të KPK. Në shumë raste ka pasur përplasje mes institucioneve gjatë seancave në KPA. Por padyshim një rol të madh kanë pasur dhe ndërkombëtarët. Disa nga rekomandimet e ONM kanë bërë që Komisioneri Publik të ankimojë edhe vendimet për disa figura të rëndësishme të sistemit të drejtësisë. Një nga ato që bëri më shumë bujë ishte ankimimi për vendimin e konfirmimit në detyrë të prokurores së Tiranës, Elisabeta Imeraj, për të cilën pati edhe përplasje. Ndërkohë, më 22 qershor ONM ankimoi vendimin ndaj saj, duke argumentuar se, Imeraj duhej të shkarkohej nga detyra sepse në të tre kriteret e vlerësimit ajo rezultonte me probleme. Për këtë çështje ka pasur reagime të forta edhe nga ndërkombëtarët. Sakaq, rekomandimi i fundit i ONM për sesionin që mbylli ka çuar në shkarkimin e gjyqtarit të Tiranës, Gerdi Hoxha, i cili pasi doli përpara vetingut u vendos për të konfirmimi në detyrë. Por, ONM nuk ishte dakord me këtë vendim dhe kërkoi shkarkimin e menjëhershëm të tij. Gjatë seancës në KPK, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kërkoi vlerësimin negativ për kriterin profesional të gjyqtarit, duke përmendur si problematikë dy vendime të marra nga ai kur ishte anëtar i KLD-së.

Raste të tjera

Një tjetër rast që është fundosur përfundimisht për shkak të rekomandimit të ONM gjatë këtij viti, ishte shkarkimi i dy bashkëshortëve prokurorë Gentian Osmani dhe Marinela Osmani. Për të dyja rastet KPK vendosi konfirmim në detyrë, por më pas kanë ardhur rekomandimet e ONM që çuan çështjet në Komisionin e Apelimit. Në maj të këtij vit ONM kërkoi dërgimin e çështjes së Marinela Osmanit për interpretim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA, duke e konsideruar identike me atë të bashkëshortit të saj, prokurorit Gentian Osmani, për të cilin e vendos shkarkimi në shkallën e dytë për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë në dy vite. Ndërkohë, një tjetër rast është rekomandimi i ONM për vendimin e dhënë ndaj prokurorit të Elbasanit, Besnik Cani. Sipas ONM, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka bërë “një sy qorr” gjatë vlerësimit për Canin dhe e konfirmoi atë menjëherë në detyrë. Ndërsa në rekomandim theksohet se, ky veprim ul besimin e publikut tek drejtësia. “Një nga qëllimet e procesit të rivlerësimit është rikonfirmimi i besimit të publikut në institucionet e drejtësisë. Në pikëpamjen tonë është e pamundur të konfirmohet në detyrë një subjekt kur nuk janë vlerësuar në mënyrë të rregullt disa çështje që dëmtojnë besimin e publikut”, thuhet në rekomandimin e ONM.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here