Fiskalizimi/ Tatimet shtyjnë vlefshmërinë e dokumenteve ekzistuese deri më 31 gusht, ja cilat subjekte përfitojnë

0
29

Administrate Tatimore ka vendosur të japë një tjetër lehtësi për bizneset në procesin e fiskalizimit. Nga 1 korriku nisi faza e dytë e fiskalizimit për transaksionet pa para në dorë mes subjekteve, në të cilën përfshihen 34 mijë subjekte. Por, ashtu siç kanë deklaruar shpesh shumica e ndërmarrjeve, sidomos biznesi i vogël, nuk janë plotësisht të gatshëm për të implementuar këtë sistem të ri, pasi krijon konfuzion te subjektet për mënyrën e faturimit. Kështu përveç faktit se pjesën e dytë të këtij viti, Tatimet e kanë cilësuar si një periudhë tranzitore që nuk do të lejohen gjobat, ditën e djeshme ka bërë me dije një tjetër vendim, i cili lehtëson disi bizneset. Konkretisht, Administrata Tatimore ka vendosur që dokumentacioni tatimor që përdorin aktualisht bizneset do jetë i vlershëm deri në fund të gushtit. Ndërsa bëhet me dije se, bizneset kanë afat të tërheqin këtë dokumentacion deri në 15 gusht. “Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve informon tatimpaguesit se përdorimi i dokumentacionit tatimor ekzistues do të vijojë deri në datën 31.08.2021. Tërheqja e këtij dokumentacioni nga tatimpaguesit, pranë drejtorive ku ata janë të regjistruar, do të mund të kryhet deri në datën 15.08.2021”, thuhet në njoftim. Tatimet sqarojnë se përfitues të këtij vendimi janë ata që kanë hyrë në procesin e fiskalizimit me fazën e 1 korrikut. Sipas DPT, bizneset do udhëzohen për mënyrën se si do të veprojnë në vijim. “Këta tatimpagues do të do të vijojnë të përdorin dokumentacion tatimor të shpërndarë nga DRT e juridiksionit dhe do të asistohen nga punonjësit e Administratës Tatimore në vend ushtrimin e aktivitetit, me qëllim plotësimin e detyrimeve ligjore përgjatë periudhës të parashikuar nga Akti normativ “Për një shtesë në ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, thuhet në njoftim.

Lehtësi të tjera

Përmes këtij njoftimi Administrata sqaron se, bizneset do fillojnë të implementohen në sistemin e ri fiskal sipas afateve të përcaktuara dhe janë të detyra që të lëshojnë fatura të fiskalizuara elektronikisht. Por, gjatë kësaj periudhe tranzitore në rast problemesh teknike ata mund të pajisen me dokumentacion tatimor që përdornin më parë. “Të gjithë tatimpaguesit të cilët rezultojnë me zbatim efektiv të procesit të fiskalizimit do të lëshojnë vetëm fatura të fiskalizuara, por nëse do të kenë probleme teknike të parashikuar nga udhëzimi “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, do të pajisen me dokumentacion tatimor në DRT e juridiksionit”, sqarojnë Tatimet. Sakaq, evidentohet këtu se Tatimet do të vijojnë të njohin faturat e mëparshme të shpenzimeve në ato raste kur problemet janë teknike dhe jo neglizhencë nga tatimpaguesit. “Gjithashtu ju bëjmë me dije se, për efekt të njohjes së shpenzimeve faturat tatimore të lëshuara në zbatim të ligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, si dhe ligjit “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, do të vijojnë të njihen për rastet kur zbatimi i procesit i fiskalizimit nuk është zbatuar për shkaqe të pavarura nga tatimpaguesit”, thuhet në njoftim.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj