Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zbardhur dje vendimin për konfirmimin në detyrë të Kryeprokurores së Tiranës Elisabeta Imeraj. Gjatë seancës pati shumë debate për shkak se ONM akuzon Imerajn se ka përgjuar vëzhguesit e saj dhe se divorci i saj nga bashkëshorti ishte fiktiv. Por, KPK i ka hedhur tërësisht poshtë këto akuza, duke u shprehur se ONM nuk ka paraqitur asnjë fakt konkret që të mbështesë pretendimet e saj. Prandaj në përfundim komisioni vendosi që të konfirmojë në detyrë prokuroren Imeraj. “Lidhur me këtë gjetje dhe pas përgjigjeve dhe shpjegimeve të dhëna nga subjekti në rezultatet e hetimit, Komisioni nuk konstatoi shkelje të kryera nga subjekti i rivlerësimit në kundërshtim me ligjin. Nga asnjë institucion ligjzbatuese në Shqipëri nuk rezultoi asnjë lloj e dhëne, prove apo indicie që të lidhë subjektin e rivlerësimit me pretendimin e ngritur”, konstaton KPK. Sa u përket përgjimeve të pretenduara nga ONM, komisioni konstatoi se nuk ka asnjë foto, por asnjë të dhënë tjetër që të tregojë se Imeraj ka përgjuar vërtet vëzhguesin e ONM. Prandaj, KPK ka dalë në përfundimin se këto akuza mbeten vetëm pretendime, që nuk kanë arritur të vërtetohen nga denoncuesi. “Nga hetimi administrativ nuk rezultoi të administrohet asnjë fotografi, apo përgjim për ish -vëzhguesin, dhe as rezulton që subjekti i rivlerësimit të ketë njohuri në lidhje me to. Pretendimet e bazuara në letrën e Rr. Sh, me gjetjet e dërguara nga ONM mbeten pretendime të shprehura pa asnjë të dhënë provuese”, thuhet në vendim.
Qëndrimi i Imerajt
Për prokuroren pretendimet e ONM janë shumë absurde. Sipas saj, as mënyra që kanë ndjekur ata për të mbledhur informacione që në fund kanë rezultuar të pavërteta, nuk kanë zbatuar rregullat që përcakton ligji. “Një pretendim i tillë është sa i pavërtetë, aq edhe i çuditshëm. Ndihem e fyer, e keqardhur dhe madje e intimiduar, duke u gjendur përballë një pretendimi të tillë të prezantuar si Gjetje. Në parantezë të arsyetimit ligjor dhe logjik të mungesës totale të vërtetësisë të këtij pretendimi absurd të prezantuar si Gjetje, po ndaloj fillimisht në detajimin e situatës, që konsiston në mekanizmin procedural të përdorur nga ana e ana e vëzhguesve ndërkombëtarë për: hetimin, që nuk është as komfort ligjit”, është shprehur Imeraj sipas vendimit. Drejtuar në formë pyetje denoncuesit, Imeraj tregoi se ata nuk mund të tregojnë dot se si kanë vepruar për të grumbulluar informacione dhe prova rreth saj dhe jo më të vërtetojnë pretendimet e tyre. Sipas saj, fakti që denoncuesi ka shkelur ligjin gjatë kohës që kërkonte të mblidhte informacione për të i bënë akoma më absurde pretendimet e ngritura. “A mundet të më bëhen me dije si është kryer hetimi i fakteve dhe rrethanave të prezantuara? A mundet të më tregoni se çfarë informacionesh ka kërkuar vëzhguesi ndërkombëtar tek subjektet e së drejtës publike, për të konkluduar me paraqitjen e këtyre fakteve dhe rrethanave? A mundet të më thoni se çfarë dokumentesh janë administruar nga ana e vëzhguesit ndërkombëtar për të vërtetuar një veprim, i cili çuditërisht më adresohet mua? E pra, duhet të plotësohen disa kushte kumulative që të ndodhemi përballë Gjetjes në kuptim ligjor”, u shpreh ajo.









































