Miqësorja e djeshme midis Çekisë dhe Shqipërisë, luajtur në Pragë, përfundoi me fitoren e çekëve 3-1, duke nxjerrë zbuluar defektet e skuadrës së trajnerit Edi Reja. Ky i fundit përsëriti “avazin” e vjetër, pasi u rrëzua sërish mbrëmë, duke shkaktuar panik tek stafi, ndërsa organizimi i lojës në ço repart lë për të dëshiruar.
Pjesa e parë
Ndeshja nisi me vrull për të dyja skuadrat, ku rastin e parë për shënim e patën çekët, por gjuajtja e tyre përfundon jashtë. Sidoqoftë, Reja ngrihet nga stoli me ulërima, duke kërkuar nga të tijtë të jenë të vëmendshëm. Më pas vjen radha e tanëve në tri raste, fillimisht me Cikalleshin e më pas me Veselin e Baren, por asnjëri prej tyre nuk gjen kuadratin. Rasti i parë i vërtetë i rrezikshëm në portën tonë regjistrohet në minutën e 14-të, ku Selmani shpëton kuqezinjtë nga goli. Por goli për çekët nuk do të vononte. Në minutën e 18-të është Shink që realizon pasi u asistua si duhet nga krahu i djathtë i sulmit. Topi i ardhur në gjysmëlartësi në hyrje të zonës gjeti zbuluar Shik që me një gjuajtje të majtë e të saktë e dërgon topin në rrjetë. 1-0 për Republikën Çeke dhe për kuqezinjtë gjërat nisin të bëhen të vështira. Janë plot 20 minuta lojë që flasin për ekipin vendas, i cili rrezikon në vijimësi, por ndërhyrjet e portierit Selmani evitojnë gola të tjerë. Sidoqoftë, atëherë kur shpresat dukeshin të humbura, shfaqet në fushë përvoja dhe forca e një lojtari që ka dhënë prova se i duhet Kombëtares. Sokol Cikalleshi lëshon një “predhë” nga 25 metra dhe topi përfundon në trekëndëshin e djathtë të portës së portierit çek, një supergol që barazoi shifrat 1-1. Me këtë rezultyat mbyllet fraksioni i parë i lojës.
Pjesa e dytë
20 minutat e para të pjesës së dytë flasin krejtësisht për çekët, që e dominuan ndeshjen me shumë raste shënimi, por Selmani u tregua në lartësinë e duhur duke evituar gola të sigurt. Në minutën e 57-të trajneri Edi Reja përsërit ngjarjen me Uellsin, duke u përplasur me një lojtar çek e duke u rrëzuar, duke tërhequr kështu vëmendjen. E megjithatë ngrihet duke buzëqeshur. Pas një rasti sporadik të tanëve, që Bare nuk e konkretizon si duhet, vjen momenti i golit për çekët, që realizuan në minutën e 68-të me anë të Masopust. Një pasim i saktë në të djathtë dhe në pozicion diagonal Masopust gjuan saktë duke shënuar golin e dytë. Reja nxjerr Manajn e Cikalleshin dhe aktivizon Balajn e Seferin. Shkodrani ka një rast ideal në minutën e 82-të, por në momentin e fundit ia heq topin një mbrojtës. Loja gjallërohet, por goli mungon. Në minutën e 89-të çekët godasin në kundërsulm, ku pasimit të saktë te Peshek iu përgjigj po saktë Celustka, që shënoi golin e tretë, duke i vënë “kapak” fitores së Republikës Çeke. Keidi Bare tenton në fund të bëjë gjithçka vetë, por ishte i pafat në juajtjen e tij. Si përfundim, këtë miqësore e fitoi Çekia me shifrat 3-1. Një barazim pa shumë shkëlqim ndaj Uellsit dhe një humbje ndoshta e pamerituar ndaj Çekisë, treguan se kuqezinjtë kanë probleme dhe trajneri Edi Reja duhet të nxjerrë mësimet e duhura. Skemat e tij taktike vijojnë të fusin “ujë”, ndërsa sulmi mbetet ende larg efikasiteit. Hiq “perlën” e Cikalleshit, të tjerët nuk janë produktivë dhe trajneri duhet të mendojë që tani për duelet zyrtare në shtator kundër Polonisë dhe Hungarisë.