Harta e re gjyqësore ka sjellë përplasje mes institucioneve. Pak ditë më parë gazeta ka publikuar propozimet e KLGJ mbi numrin e gjykatave në vend, ku sugjerohet mbyllja e 19 gjykatave dhe të kemi vetëm një Gjykatë Apeli. Por kjo ka krijuar përplasjes mes KLGJ dhe Ministrisë së Drejtësisë pasi kjo e fundit është kundër kësaj ideje. Sipas burimeve që në shtator të 2020 Këshilli i ka paraqitur Ministrisë së Drejtësisë hartën e re, por kjo e fundit ende nuk ka bërë asnjë lëvizje. Për këtë arsye, Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka dërguar kësaj të fundit një letër me anë të së cilës kërkon përshpejtimin e miratimit të hartës gjyqësore. KLGJ kërkon riorganizim të gjykatave në të gjithë vendin teksa arsyeton se me hartën e re, zvogëlohet numri i gjykatave në vend. KLGJ thekson në letër se, kanë kaluar 10 muaj që nga paraqitja e hartës, prandaj nuk duhet të vonohet më. Sipas Këshillit, kjo hartë shkurton numrin e gjykatave në vend, pasi një pjesë e madhe e tyre kanë mungesë të theksuar stafi, duke qenë se disa gjyqtarë nuk arritën të kalonin procesin e vetingut.
Reagon ministria
Pas kërkesës së KLGJ i menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Drejtësisë. Përmes një interviste televizive zëvendësministri Klajd Karameta tha se, për ministrinë më e mira është që të mos mbetet vetëm një gjykatë Apeli, por të lihen në funksion tre të tilla. Sipas tij, ata po presin konfirmimin e institucioneve të tjera për këtë. “Vlerësimi për ndryshimin e hartës gjyqësore bëhet në bashkëpunim të KLGJ dhe Ministrisë së Drejtësisë. Ne kemi propozuar që duke marrë parasysh volumin e çështjeve dhe demografinë, lëvizja më e mirë do të ishte që të ketë tri Gjykata Apeli dhe jo një. Nuk duhet të trembemi nga diçka e përkohshme siç është procesi i vetingut. Zgjidhja jonë duhet të jetë afatgjatë. Afati është në vullnetin e mirë të institucioneve që të ulen dhe të flasin”, tha ai.
Avokatët kundër hartës së re
Përveçse ka ngecur në ministri, harta e re nuk pranohet as nga avokatët. Ditën e djeshme
Dhoma e Avokatëve të qarkut Korçë ka kundërshtuar aplikim e hartës së re përmes një deklarate për mediat. Kreu i dhomës së avokatëve Arben Lena tha se nuk duhet të mbyllet Gjykata e Apelit në atë qark, pasi është e lodhshme dhe rraskapitëse që një qytetar nga Korça të udhëtojë në Tiranë për një çështje gjyqësore. Sipas tij kjo do jetë kosto për qytetarët dhe mbingarkesë për gjykatën. “Ne kërkojmë që Gjykata e Apelit në Korçë të mos lëvizë, pasi është i pamundur funksionimi normal i drejtësisë në këtë prefekturë. Është e pamundur që një qytetar i Leskovikut të shkojë dhe të kërkojë zgjidhje në Apelin e Tiranës. Është e pamundur që avokatët në Korçë për një çështje të zakonshme të shkojnë deri në Tiranë, pasi do të thotë humbje e ditës dhe efikasitetit dhe është e pamundur për zgjidhjen e heshtjeve, pasi një gjykatë e vetme do të ngarkohet me të gjitha”, tha ai.