Disfata e 25 prillit e ka futur në krizë të thellë Lëvizjen Socialiste për Integrim. Në 25 prill kjo parti humbi 15 mandate deputetësh dhe shumë emra të njohur mbetën jashtë Parlamentit. Ndër ata, janë emra si: Elona Guri, Bahri Shaqiri, Miranda Rira, Vangjel Tavo, Endrit Braimllari, Viktor Tushaj, Klajda Gjosha, Nora Malaj, Floida Kërpaçi, Edmond Haxhinasto, etj. Këta emra nuk arritën që të merrnin mandatin e deputetit në zgjedhjet e 25 prillit dhe një pjesë e madhe e tyre kanë nisur tashmë që të distancohen nga Lëvizja Socialistë për Integrim dhe mos të prononcohen më për mediat. Madje, sipas burimeve ata kanë vendosur që të kërkojnë edhe punë tjetër. Po ashtu, përveç këtyre të fundit edhe vetë kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, pas zgjedhjeve të 25 prillit nuk ka qenë më aktive në politikë. Dalja e fundit e saj, ishte vetëm pak ditë pas zgjedhjeve të 25 prillit, nga ku ajo doli në një deklaratë për media dhe akuzoi qeverinë për vjedhje votash e manipulim të zgjedhjeve, ndërsa tha se Lëvizja Socialiste për Integrim do të vazhdojë denoncimet e saj për çdo manipulim dhe për çdo tjetërsim vote që është bërë. Nga ana tjetër, 3 emra të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët kanë qëndruar aktivë edhe pas humbjes së LSI në zgjedhjet e 25 prillit janë nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili, Endrit Braimllari dhe Kejdi Mehmetaj.