Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, ditën e djeshme komentoi integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian. Palmer tha se do të kishte dëshirë që të mbahej mbledhja e parë ndërqeveritare për të dyja vendet. Ai u shpreh se është e rëndësishme që Bashkimi Europian të dijë se vendet kanë bërë punën që duhet. Sipas tij, pritet arritja e marrëveshjes për të mbajtur një konferencë sa më parë të jetë e mundur. “Është e vërtetë që BE duhet t’ia bëjë të qartë Ballkanit Perëndimor se rruga është e hapur, nëse ata bëjnë punën dhe zbatojnë reformat e nevojshme. Ne do të dëshironim që të mbahej mbledhja e parë ndërqeveritare për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ata bënë atë që duhet dhe ne mendojmë se është e rëndësishme që BE ta njohë atë fakt. Një pjesë e madhe e BE-së pajtohet me ne për këtë dhe nuk mendoj se po zbuloj ndonjë sekret shtetëror nëse them se është një çështje bilaterale midis Bullgarisë dhe Maqedonisë dhe BE-ja po punon me Sofjen për këtë dhe shpresoj se do të arrihet një marrëveshje për të mbajtur një konferencë, sa më shpejt të jetë e mundur, në qershor”, tha ai. Kujtojmë se Palmer edhe më herët ka dhënë mbështetje për vendin tonë sa i përket hapjes së negociatave me Bashkimin Europian. Palmer është shprehur se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave dhe SHBA-të do të donin të shihnin një vendim pozitiv. Lidhur me procesin e zgjerimit të BE-së dhe nëse pret përgjigje pozitive për një kohë të shkurtër, Palmer deklaroi se mbetet në qëndrimin se refuzimi i hapjes së negociatave tetorin e vitit të kaluar ishte një gabim historik. “Në emër të Shteteve të Bashkuara mund të përforcoj dhe rikonfirmoj
mbështetjen tonë të fortë për perspektivën, rrugën dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë. Shumë do të donim të shihnim vendim pozitiv nga Këshilli për përcaktimin dhe organizimin
e Konferencës Ndërqeveritare, si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut”, ka deklaruar Palmer më parë.