Hapja e dosjeve të bujshme javët e fundit duket se kanë tmerruar ish-kryeministrin Sali Berisha. Menjëherë pas shpalljes “non grata” të tij u rihapën “21 Janari” dhe “Gërdeci” dhe po jepen sinjale se SHBA nuk do ndalet vetëm me ndalim të hyrjes në territorin saj. Dje Berisha ishte në “Zonë e Lirë” dhe u pyet nga Arjan Çani se hapja e dosjeve të bujshme mund të jetë një sinjal se vendimi i DASH do pasohet me hetime. Ai i përmendi vrasjet e 21 Janarit 2011 dhe zhdukjen e serverit të kamerave, prova kyçe e ngjarjes. Por ai i shiti ekspertët e IT. Duke thënë se ai s’kishte punë me serverat duke bërë me përgjegjësi specialistë e teknologjisë që merreshin me kamerat e Kryeministrisë. “Serveri është përgjegjësi e atyre që ruajnë Kryeministrinë. S’kanë lidhje me Kryeministrin dhe Sekretarin e Përgjithshëm. Ata thirrën shefin e IT dhe doli i pafajshëm”, tha ai. Berisha u pyet edhe mbi zërat që qarkullojnë se mund të kërkojë azil. Ai u shpreh se do të qëndrojë këtu pavarësisht asaj se çfarë do të ndodhë. “Nuk më shkon kurrë ndërmend të largohem nga Shqipëria. Nuk ka imunitet për Berishën. Sali Berisha e ka hequr imunitetin që nga 2012. E treta nuk ka parashkrim për Berishën”, tha ai.
Berisha sfidon hapur SHBA
Ish-kryeministri ka sfiduar dje shumë ashpër amerikanët. Ai u shpreh se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen nga mandati i deputetit. Ai u shpreh se nëse opozita do fitonte edhe mund të ishte larguar nga Parlamenti, por tani do të trefishojë dozën reagimit. “Tani nuk e jap dorëheqjen në asnjë mënyrë. Do të shumëfishoj aktivitetin tim si deputet. Kisha ndërmend dhe besoj se do fitoja dhe unë çfarë do bëjë pastaj në Parlament pastaj? Por tani pashë Zotin, në këtë moment, ata po më impresionojnë mua. Unë do të përdor të gjithë forcën e Parlamenti si deputet, të gjithë energjinë time dhe të jeni i bindur se 3 herë më shumë do mbroj ato që kam mbrojtur. Dikur i vura vetes disa kufi, por tani…”, tha ai.
Berisha merr në mbrojtje fëmijët
Ai u pyet edhe sa i takon fatit të fëmijëve. Çani u shpreh se ndaj tyre mund të nisë një proces hetimi. I pyetur në qoftë se Shkëlzeni në një moment ta caktuar ka një provë kundër tij a e merr përsipër, ai tha: “Padiskutim! Absolutisht që nesër. Në qoftë se Argita ka një provë, që nesër. Sepse këta kam thënë unë kur kam ardhur në 2005 Kryeministër. U kam thënë shqiptarëve që për çdo veprim të fëmijëve të mi, unë mbaj përgjegjësi. U kam thënë fëmijëve të mi, ka qenë mesazh për qytetarët, që nuk mund të ketë dëme ndaj jush por edhe për fëmijët. I kam detyruar fëmijët që 2 vite para se sa të ndryshonte ligji, të deklaronin njësoj si i ati. Dhe këtë e kanë bërë. Në qoftë se ndokush thotë së fëmijët e mi, djali im e ka të ndaluar veprimtarinë private, pastaj kjo është Koreja e Veriut ose Enver Hoxha. Djali im ka marrë vetëm 3 muaj rrogë në një ndërmarrje publike dhe pastaj ka dalë në sektor privat si këshilltar ligjor, sepse ai ka mbaruar 2 Master për arbitrazh”. Po ashtu ai i doli në krah edhe vajzës, duke thënë se pasurinë e ka bërë vetë pa lidhje me politikën. “Edhe vajza… Vajza ka punuar vetëm një periudhë kohe të shkurtër avokate. Kurse ky është këshilltar ligjor dhe ka aktivitete biznesi, të cilin ja ka kontrolluar Edi Rama me të gjithë instrumentet e tij, dhe të paktën 10 herë i ka ndërsyer autoritetin kundër larjes së parave drejt tyre. Dhe e ftoj t’i ndërsej edhe 100 herë të tjera”, tha ai.