“Toka jonë” është vepra operistike, që i takon vitit 1981. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit vazhdon të publikojë materialet me veprat që janë vënë në skenë dekada më parë dhe këtë herë sjell operën “Toka jonë”. TKOB shkruan se “Toka jonë” i takon vitit 1981. “40 vite më parë, në qershor të vitit 1981, TKOB shfaqi operën shqiptare “Toka jonë”, bazuar në dramën me të njëjtin titull të shkrimtarit Kol Jakova”, shprehet TKOB, që ka publikuar dhe foto nga vepra. TKOB në materialin që ka publikuar rreth kësaj vepre, ka shkruar dhe artistët. Kompozitor Pjetër Gaci, regjisor Ndrek Luca, piktor Bashkim Ahmeti, dirigjent orkestre Ermir Krantja, dirigjente kori Rozmari Jorganxhi, koreograf Agron Aliaj. Personazhet në opera-Lokja: Shqipe Mingomataj, Edith Mihali; Murrashi: Ramiz Kovaçi, Burhan Spahiu, Luan Sula; Leka: Gaqo Çako, Hysen Koçia,Gjergj Sulioti; Filja: Myzejen Mullaj, Shqipe Zani, Emine Gjata; Mara: Xhovana Doko, Rajmonda Dabulla, Valentina Qato; Meti: Agim Quku, Petrika Rëmbeci, Kaman Aliko; Tuçi: Lefter Besho, Pëllumb Katroshi; Vata: Ibrahim Tukiçi, Vangjo Kosta, Janaq Mici; Fshatar i parë: Agim Quku, Petrika Rëmbeci, Kaman Aliko. Pjetër Gaci, (27 mars, 1931) – (27 mars, 1995). Kompozitor shkodran, violinist dhe pedagog i muzikës klasike. Ishte pedagog në Liceun Artistik dhe më pas në Institutin e Lartë të Arteve. Rrugën e artit e filloi si violinist dhe u bë themeluesi i muzikës violinistike shqiptare. Arriti maja me kompozimin e këngës, si te “Për ty atdhe” dhe “Gryka e Kaçanikut”. Pjetër Gaci u lind në fshatin Shtiraj të rrethit të Shkodrës më 27 mars të vitit 1931. Në Shkodër kreu arsimin fillor. Studimet për violinë i nisi në Liceun Artistik “J. Misja”, në vitet 1948-1952. për t’i vazhduar në Konservatorin e Moskës “P. I. Çajkovski”, në të cilin edhe u diplomua në pranverë të vitit 1967. Në vitin 1967, bëhet drejtor i cirkut të Tiranës, i Estradës dhe i Teatrit të Kukullave të qytetit. Në vitin 1970, është kompozitor në krijimtari të lirë dhe pas vitit 1976 vendoset përfundimisht në Shkodër, ku krahas kompozimit u përkujdes edhe për klasën e violinës në shkollën e mesme artistike “P.Jakova” të këtij qyteti. Ai ka meritën të ketë kompozuar të parin koncert për violinë në historinë e muzikës shqiptare, të parën baladë për violinë dhe piano, si dhe të jetë anëtar i Trios së parë instrumentale (pranë TOB, 1956).