Partizanit i është larguar “ylli” i skuadrës, konkretisht mesfushori Erald Çinari, i cili ishte një nga lojtarët me më shumë peshë në skuadrën e kuqe në sezonin që lamë pas. Duhet theksuar se futbollisti u bë pjesë e kampionatit turk dhe ashtu siç ishte paralajmëruar iu bashkëngjit ekipit të Samsunsporit, me të cilin ka nënshkruar për tre vjet. Ndërkohë, lëvizjet në merkato kanë prekur edhe pankinat e trajnerëve, pasi në shumë klube ka lëvizje. Kështu, largimi i parë menjëherë sapo u mbyll sezoni dhe ende pa nisur edicioni i ri është ai i Mirel Josës nga Kukësi, por pritet të largohet edhe Tomas Bërdariç i Vllaznisë. Situata nuk duket e mirë për Bylisin që ka rënë një kategori më poshtë e as për Shehin e Tiranës. Pra edhe për pankinat e klubeve shqiptare ka nisur merkato e verës dhe priten surpriza në ditët në vijim.
Çinari largohet nga Partizani, firmos për 3 vite me Samsunsporin
Klubit të Partizanit i largohet një lojtar i rëndësishëm dhe është fjala për një lojtar që klubi i kuq arriti të shkojë deri në Arbitrazhin Sportiv të Lozanës dhe për të cilin UEFA e kishte penalizuar klubin në fillim të sezonit të shkuar. Kështu, Erald Çinari është zyrtarisht një futbollist i klubit të ligës së parë turke Samsunspor. Lajmet që kanë qarkulluar në mediat shqiptare për të ardhmen e sulmuesit 24-vjeçar tashmë kanë marrë formë zyrtare pasi ka qenë vetë klubi nga qyteti i Samsunit që ka bërë me dije transferimin e shkodranit në Turqi. Çinari të cilit i skadoi kontrata me Partizanin në fund të këtij sezoni dhe u largua si një futbollist i lirë, ka firmosur për 3 vite me Samsunspor me opsion rinovimi edhe për një tjetër sezon. Detaje të tjera rreth kësaj marrëveshjeje pritet të dalin gjatë orëve në vijim, kjo përsa i përket edhe pagës që do të përfitojë futbollisti te Samsunspor. Partizani nuk arriti të arkëtonte asgjë nga largimi i 24-vjeçarit i cili spikati në këtë sezon të Kategorisë Superiore me 8 gola ku më të rëndësishëm ishin ata ndaj Tiranës në derbi menjëherë pas rikthimit nga pezullimi 4 mujor dhe ndaj Teutës, 2 javë para fundit, goli që i dha mundësinë të kuqve të kryesonin të vetëm për disa ditë kampionatin. Për Çinarin realizohet ëndrra për të luajtur jashtë Shqipërisë pasi në të shkuarën për efekte dokumentacioni dështoi transferimi i tij te Deportivo Alaves që fillimisht do ta huazonte te Istra në Kroaci. Përsa i përket Samsunspor përveç Çinarit nga Partizani klubi nga Samsuni kërkon edhe Esat Malën e Esin Hakajn. Forma e mirë që kanë treguar lojtarë si Eduart Rroca, Gentian Selmani, Kristal Abazaj, Valon E’themi e David Domgjoni në ligën e parë turke sidomos në sezonin e fundit kanë bërë që klube nga ky kampionat ta përqendrojnë vëmendjen për të bërë merkato në Kategorinë Superiore. Samsunspor e mbylli sezonin e fundit të ligës së parë turke në vendin e 3-të me pikë të barabarta me dy skuadrat që u ngjitën në elitë Adana Demirspor dhe Giresunspor por për shkak të rezultateve jo të mira në sfidat direkte nuk arriti të siguronte ngjitjen në Superligë, ndërsa më pas u eliminua në gjysmëfinalet e fazës “play-off” nga Altinordu.
Josa largohet nga Kukësi
Tekniku kryeqytetas, Mirel Josa, nuk do të jetë më trajner i Kukësit. Rezultatet jo shumë pozitive me trajnerin kryeqytetas në stolin me verilindorët që e mbyllën këtë sezon poshtë pritshmërive duke u renditur në vendin e 6-të, detyruan drejtuesit e klubit të ndërprisnin bashkëpunimin me Josën i cili tashmë është një trajner i lirë në treg. Josa kishte kontratë me Kukësin edhe për sezonin e ardhshëm por siç njofton vetë klubi verilindor në faqen zyrtare palët me konsensus kanë rënë dakord për ndërprerjen e bashkëpunimit. Nuk dihet ende emri i ri që do të pasojë Josën në stolin e skuadrës verilindore por duke parë edhe objektivat e klubit që sezonin e ri me shumë gjasa do t’i luajë ndeshjet në stadiumin e ri në Kukës, pritet që emri i trajnerit të ri të jetë një emër i njohur.