Pezullohen nga detyra dy mjekë të spitalit të Fierit pasi kanë marrë ryshfet. Bëhet fjalë për Mjekun psikiatër Agim Sula, dhe mjekun ORL, Eduart Shyti.
“Pas pamjeve filmike të transmetuara në emisionin Stop në TV Klan, ku dy prej mjekëve në Spitalin e Fierit shfaqen duke u marrë ryshfet qytetarëve, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i ka kërkuar menjëherë Spitalit të Fierit pezullimin e tyre nga detyra ndërsa organeve kompetente hetimin e plotë të ngjarjes.
Mjekun psikiatër me inicialet A.S., dhe mjekun ORL, me inicialet E.Sh., aktualisht janë pezulluar nga detyra.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të denoncojnë çdo rast korruptiv, abuziv dhe sjelle jo korrekte pranë strukturave të shëndetësisë, duke i siguruar se çdo rast që njollos punën e qindra e mijëra bluzave të bardha, do të marrë ndëshkimin e merituar.
Ministria e Shëndetësisë falenderon emisionin Stop në TV Klan për denoncimit e dy rasteve korruptive dhe inkurajon qytetarët të mos bëhen palë e veprimeve të tilla, por t’i denoncojnë në çdo rast”, njofton Ministria e Shëndetësisë.