Spastrimet në PS/ Qarqet ku priten zgjedhje në degët socialiste, nga Shkodra e Lezha, te Tirana dhe Fieri

0
218

Rezultati i dobët i korrur në disa qarqe në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, pritet të sjellë furtunë në radhët e socialistëve. Edhe pse në këto zgjedhje Partia Socialiste doli fituese, duke marrë plot 74 mandate deputetësh, në qarqe si Shkodra, Lezha, Tirana dhe Fieri nuk arriti të arrinte objektivin e vendosur nga kryeministri Edi Rama për të çuar sa më shumë vota në hambarin e PS. Për rrjedhojë rezultati i qershorit duket se nuk e ka kënaqur aspak kryeministrin Edi Rama, i cila ka vendosur të fusë në skaner disa degë dhe bazën socialiste. Gazeta ka mësuar se në 12 qershor të këtij viti, e cila si datë përkon edhe me 30 vjetorin e partisë, Partia Socialiste do të mbledhë Kongresin, ndërsa aty pritet të hidhen edhe piketat për reformimin e PS. I pari që do të reformohet është Kongresi dhe pas tij me radhë, Asambleja, Kryesia dhe disa degë socialiste.

Ja qarqet ku priten zgjedhje në degët e PS

Kështu, sipas informacioneve nga selia rozë, por edhe në bazë të disa përllogaritjeve dhe krahasimeve që ka bërë gazeta për dy palë zgjedhjet e fundit parlamentare, siç janë ato të vitit 2017 dhe këto të 25 prillit që sapo kaluam, mësohet se në disa qarqe do këtë spastrime në radhët e Partisë Socialiste, ku të parët që do bëhen “kurban” janë krerët e degëve. Mësohet se qarqet që pritet të ndodhë furtuna janë Shkodra, Lezha, Tirana, Fieri dhe Dibra. Më konkretisht, referuar të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, PS në Qarkun e Shkodrës në zgjedhjet e përgjithshme të 2017 ka marrë 36.72% të votave, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit që sapo kanë përfunduar, Partia Socialiste ka marrë 28.11% të votave. E përkthyer në diferencë votash, PS në këto zgjedhje është tkurrur me plot 8% për qind të votave në Qarkun e Shkodrës. Madje, ky rezultat, jo vetëm që solli më pak vota, por edhe një mandat më pak për socialistët, pasi në zgjedhjet e 2017 në Qarkun e Shkodrës Partia Socialiste mori 4 deputetë, ndërsa në zgjedhjet e 25 prillit, 3 deputetë. Po ashtu, sipas analizës që gazeta u ka bërë numrit të votave që ka marrë PS-ja në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit edhe degët socialiste të Qarkut të Lezhës pritet të hyjnë në skaner. Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, Partia Socialiste ka marrë 38.03% të votave, ndërsa në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017, PS ka marrë 41.59% të votave. Pra, nëse bëjmë krahasim votash edhe në këtë qark, socialistët kanë dalë dobët, pasi janë tkurrur me thuajse 4%. Të gjitha këto tregojnë se degët e Partisë Socialiste në qarqet si Shkodra dhe Lezha, pritet të futen në zgjedhje, ku kryetarët humbës dhe që nuk kanë arritur të kapin objektivin e vendosur nga kryeministri Edi Rama, do t’iu duhet t’ua lënë vendin krerëve të rinj, të cilët kanë dalë nga zgjedhjet sipas parimit një anëtar një votë.

Edhe degët e PS në Tiranë dhe Fier do hyjnë në zgjedhje

Por rezultat të dobët Partia Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit ka marrë edhe në qarqe si Tirana dhe Fieri. Më konkretisht, sipas një analize që gazeta u ka bërë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017 dhe atyre të mbajtura pak ditë më parë në 25 prill, PS në Qarkun e Tiranës, i cili është rritur edhe me popullsi dhe 2 mandate deputetësh, në zgjedhjet parlamentare të mbajtura të dielën e 25 prillit ka marrë 48.67% të votave, duke marrë 18 mandate, po aq sa ka marrë në zgjedhjet e 2017-të kjo parti. Pra edhe kreu i Partisë Socialiste së kryeqytetit, Ervin Bushati nuk arriti dot të dilte deputet edhe pse Qarku Tiranë u rrit me 2 deputetë, ku nga 34 që kishte në zgjedhjet e 2017-s, në zgjedhjet e 25 prillit, kishte 36 deputetë. Ndërkohë, një tjetër Qark që PS ka korrur rezultat të dobët dhe për rrjedhojë degët do të hyjnë në zgjedhje është ai i Fierit. Në këtë qark, Partia Socialiste në zgjedhjet e 2017 mori 56.9% të votave, ndërsa në zgjedhjet e 25 prillit 52.7%, duke u tkurrur me thuajse 5% edhe pse Fieri njihet si bastion i majtë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here