Përplasjet brenda PD/ Këshilli Kombëtar dhe Kryesia në krah të Bashës, ja si lideri demokrat pastroi partinë nga njerëzit e Berishës

0
268

Humbja në zgjedhjet parlamentar atë 25 prillit, ka rikthyer përplasjet dhe debatet brenda Partisë Demokratike. Të dielën e 25 prillit qytetarët shqiptarë iu drejtuan kutive të votimit dhe zgjodhën Parlamentin e ri, teksa PD dhe koalicioni i udhëhequr prej saj nuk arrti të shkonte më shumë se 59 mandate deputetësh. Ky rezultat e la Partinë Demokratike sërish në opozitë, ndërkohë që humbja nuk është kapërdirë dot nga demokratët, ku më të revoltuar janë shfaqur ata që njihen si kritikët e “Bashës”. Këta të fundit të udhëhequr nga binomi “Fatbardh Kadilli- Bujar Nishani”, kanë drejtuar gishtin nga Basha, të cilin e bëjnë fajtor për humbjen, ndërsa kërkojnë largimin e tij nga kreu i PD me çfarëdo lloj mënyre apo rruge. Kështu që i gjendur përpara kësaj “stuhie” dhe revolte, lideri demokrat, Lulzim Basha ka thirrur këtë të dielë që i bie pasnesër, në mbledhje Kryesinë e Partisë dhe Këshillin Kombëtar të PD. Sipas axhendës së publikuar nga selia blu, më 16 maj në orën 17:00 të do të zhvillohet mbledhja Kryesisë së Partisë, ndërkohë që 2 orë më pas në orën 19:00 do të zhvillohet mbledhja e Këshillit Kombëtar, ku në fokus të diskutimit do jetë vendimmarrje sipas Statutit për proceset politike pas situatës së krijuar me masakrën elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit.

Këshilli Kombëtar dhe Kryesia në krah të Bashës

Por përveç situatës së zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, pjesë e diskutimit në këto dy mbledhje ditën e diel pritet të jenë edhe zgjedhjet brenda Partisë Demokratike, duke qenë se në korrik të këtij viti kryedemokratit Lulzim Basha i mbaron mandati i kryetarit dhe për faktin se kritikët e tij duan zgjedhje, në mënyrë që të zgjedhin kreun e ri të PD. Mirëpo, nisur nga debatet që kanë mbërthyer selinë blu, nuk përjashtohet që Lulzim Basha të përballet me ndonjë mocion mosbesimi, rrugë kjo që do të shkarkonte automatikisht atë, nëse shumica e anëtarëve të Partisë Demokratike në këto dy organizma do të votonin pro largimit të tij nga kreu i PD. Por edhe nëse ndodh ky skenar, Bashës nuk i “hyn gjemb në këmbë”, pasi shumica e anëtarëve të Kryesisë së Partisë Demokratike dhe Këshillit Kombëtar janë besnikë të tij. Për rrjedhojë asnjëri prej tyre nuk do të votonte për shkarkimin e Bashës. Kështu, nga 28 anëtarë që ka Kryesia e PD, vetëm kritiku i Bashës, zoti Fatbardh Kadilli është kundër liderit demokrat, pasi 27 anëtarët e tjerë, duke filluar nga Edi Paloka dhe Jorida Tabaku, deri tek Grida Duma, Belind Këlliçi, Alfred Rrushaj, Ina Zhupa, Tomor Alizoti apo Enkelejd Alibeaj, etj, janë njerëz të shefit të selisë blu. Kjo do të thotë që shanset që Basha të rrëzohet me mocion mosbesimi janë zero, prandaj dhe Fatbardh Kadilli, i cili ka shpallur kandidaturën për kryetar të ri të Partisë Demokratike, kërkon ndryshimin e statutit të partisë, pasi Basha në gjithë strukturën e PD ka vendosur njerëz të tij. Pra, përveç anëtarëve të Kryesisë së Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka pas vetes edhe krerët e degëve dhe sekretarët e PD, si dhe deputetët e rinj të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Kështu që, e gjithë kjo tregon se Basha ka punuar me strategji, pasi qysh në vitin 2013 kur erdhi në krye të Partisë Demokratike, nis pastrimin e partisë nga njerëzit e ish-kryeministrit Sali Berisha, duke vënë në të gjitha postet besnikët dhe të promovuari e tij. Megjithatë, mbetët të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here