“Gjithë lulet e pranverës për ty”, me artistët e Ansamblit Popullor dhe të tjerë të ftuar

0
36

Koncerti “Gjithë lulet e pranverës për ty” ishte pjesë e programit artistik online të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Një koncert tepër i veçantë me perlat e muzikës popullore, meloditë, këngët dhe vallet shqiptare të interpretuara nga të gjitha trupat artistike të Ansamblit Popullor. Me pjesëmarrjen e tenorit shqiptar Kastriot Tusha, solistit Aranit Hoxha dhe të ftuarve Eli Fara dhe Zeqir Sulkuqi, ky koncert u ndoq në Facebook të TKOB, yotube dhe në www.tkob.gov.al. Koncerti “Gjithë lulet e pranverës për ty” është koncerti i dytë premierë nën drejtimin e Sokol Marsit, drejtorit artistik të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Përpara këtij koncerti, për publikun u zhvillua ai me titull “Trëndafilin kur ta dhashë” me artistët e Ansambli Popullor, për të rizgjuar bukuritë e muzikës së krijuar nga mjeshtrit shqiptarë. Ansambli Kombëtar i Këngëve e Valleve Popullore (AKKVP) është krijuar në vitin 1957, si ansambël profesionist. Ky ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. Qëllimi i AKKVP-së është në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë. Këtu përfshihen pasuritë e mëdha folklorike vokale, instrumentale, koreografike dhe kostumografike, që variojnë nga zona në zonë, duke krijuar një koloritet motivesh. Folklori shqiptar shquhet për origjinalitetin, lashtësinë dhe shumëllojshmërinë e gjinive artistike. Zonat e shumta etnografike kanë veçantitë e veta në këngët, vallet, kostumet, ritet e zakonet. Mbështetja e AKKVP-së tek kjo pasuri burimore dhe ekspeditat e ndryshme të zhvilluara në të gjitha zonat kanë bërë që AKVP-ja të jetë jo vetëm krenaria e kulturës tradicionale shqiptare, por edhe të mahnisë me vlerat e tij studiues e folkloristë nga e gjithë bota. Repertori muzikor ka luajtur një rol të fuqishëm dhe mjaft të suksesshëm në jetën e ansamblit. Vlera të mëdha artistike ka orkestra me instrumentistë nga më të zgjedhurit. Këngëtarët interpretues kanë qenë dhe janë krenaria e vokalit shqiptar. Edhe kori me përpunimet dhe harmonizimet e këngëve burimore dhe të krijuara, ka dhënë një kontribut shumë të vlefshëm si pjesë e ansamblit.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj