Agim Janina: Një krim artistik që institucionet nuk ndërhynë në restaurimin e mozaikut në Muzeun Historik Kombëtar, politika ishte pengesë

    0
    462

    Mozaiku Shqipëria është më i madhi i këtij lloji në Shqipëri. Ai u përurua bashkë me Muzeun Historik Kombëtar, në vitin 1981. I lënë në mëshirë të fatit dhe pa ndërhyrje restauruese, vazhdoi prej vitesh degradimi i mozaikut në ballinën e Muzeut Historik Kombëtar. Disa ditë më parë ishte ministrja e Kulturës Elva Margariti, që bëri me dije se në fillim të muajit maj do të nisë puna për restaurimin e mozaikut. Një lajm që u mirëprit nga artistë dhe studiues, të cilët herë pas here janë shprehur se mozaiku kërkon një ndërhyrje në mënyrën e duhur. Për studiuesin e artit Agim Janina, që nga viti 2010 kur u fol për një studim dhe ndërhyje dhe deri më sot kur nuk është bërë asnjë veprim, ka bërë që mozaiku të shfaqte dhe më shumë probleme me kalimin e kohës. “Për mua është krim artistik, që u la kaq vite pa ndërhyrë nga institucionet. Të shpresojmë tani te firma që do ta bëjë ndërhyrjen e mozaikut, sepse sot dhe teknologjia, solucionet, etj, janë shumë më të mira dhe bëhen restaurime në gjithë botën. Tre artistët janë gjallë, që mund t’iu merret mendimi dhe janë të gjitha mundësitë që ai mozaik të shkëlqejë siç u bë ditën e parë kur u zbulua. Por mosvënia dorë prej vitesh e vitesh, lënia për të degraduar është krim artistik që duhet mbajtur përgjegjësi”, pohon Janina. Në reagimin e tij, studiuesi Janina thotë se ndërhyrja duhej të ishte bërë pas një studimi të mirë nga profesionistët. Por me rëndësi sipas Janinës ishte që duhej të ruhej të paktën në atë gjendje si para 10 vitesh. “Mbase i kanë vënë diçka për ta ruajtur dhe unë këtë se di, por kohëzgjatja në këtë problem, pra në 10 vite kur nga vepra vijuan të bien dhe gurët e kanë dalë hekurat e ndryshkur, deri në këtë gjendje nuk duhej të ishte lënë nga institucionet. Por duhej të ishte ndërhyrë, që atë kohë kur u shfaqën problemet”, pohon Janina.

    Pengesa në restaurim

    Për studiuesin e artit Agim Janina mozaiku është një vepër arti e realizuar sipas kërkesave të kohës, por ka rëndësi që nuk duhej lënë në degradim. Ai thotë se shpreson që ndërhyrja të bëhet si duhet në mozaik. “Qëllimi i ndërhyrjes është që të sillet në atë formë siç ishte ditën e parë kur u zbulua, dhe unë shpresoj me gjithë zemër që kështu duhet të bëhet. Kam dëgjuar që janë organizmat ndërkombëtare që kanë ndikuar te kjo, por sërish dyshimi ekziston për çdo restaurim që do të bëhet. Në aftësinë e restauratorëve, në aftësinë e firmës, në zgjedhjen e materialeve, etj. Edhe “Motra Tone” u restaurua në Paris, por nuk u bë si duhet dhe humbi nga vlera e saj”, vijon Janina. I lënë prej vitesh në degradim, në restaurimin e mozaikut Shqipëria në fasadën e MHK për studiuesin Janina pengesë ka qenë politika. Por veç saj ai thotë se ndikuan dhe opinionet e disa historianëve vite më parë. Studiuesi i artit Agim Janina thotë se historia nuk mund të zhbëhet. “Për mua e pengoi politika ndërhyrjen restauruese. Politika ka përgjegjësinë kryesore, sepse hodhi idenë për ta hequr fare, dhe kjo ishte dhe më kriminale akoma. U shfaqën mendime jo vetëm nga politika, por dhe nga historianë e studiues që thanë duhet hequr se është vepër e asaj kohe. Por ne nuk mund ta zhbëjmë dot historinë. Historia e artit është ajo që është dhe nuk mund të zhbëhet”, shprehet studiuesi i artit Agim Janina. Mozaiku në MHK sipas studiuesit Janina është nga veprat kryesore, që janë ndërtuar në Shqipëri. Ai thotë se dhe pse mban frymën e kohës ka mjeshtëri artistike. “Është nga mozaikët më të mëdhenj që ekzistojnë në Ballkan. Sigurisht ajo mban frymën e kohës, që i është përgjigjur kohës dhe artistët janë kufizuar brenda këtyre kërkesave. Por nga ana tjetër aty ka një mjeshtëri artistike në realizim, në koloristikën që është përdorur dhe në shpërfaqen në një sipërfaqe aq të madhe, që të jetë një mozaik i pëlqyeshëm për syrin”, pohon Janina. Mozaiku ka një sipërfaqe prej rreth 440 metrash katrorë, me përmasa 40 x 11 metra. Mozaiku mban emrin e autorëve Josif Dobroniku, Vilson Kilica, Agim Nebiu, Anastas Kostandini dhe Aleksandër Filipi.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here