Ardian Isufi me “Mirrors should think longer before they reflect”, së shpejti në galerinë e artit në Shkodër

0
241

Vepra e multimediale e artistit të njohur Ardian Isufi së shpejti do të prezantohet në galerinë e arteve, në qytetin e Shkodrës. Më datë 15 maj do të hapet për publikun ekspozita me titull “Mirrors should think longer before they reflect” e kuruar nga Vladimir Myrtezai ( Grosha). Një prezantim me instalacion, video, etj, nga artisti Ardian Isufi që pas disa ditësh do të hapë ekspozitën personale të tij në galerinë e Shkodrës. Kuratori i ekspozitës Vladimir Myrtezai-Grosha, ka përgatitur një tekst kuratorial me titull “Galaktikat fluturuese si diktim i paqëndrueshmërisë dhe estetikave të artistit Ardian Isufi”. Sipas profesor Myrtezait, instalime, fotografi, projekte në formë artefaktesh dhe hapësira multimediale dhe involvimesh të karakterit kinetik e artit në proces do mbushin hapësirën e kësaj galerie. “Qyteti i Shkodrës është një qytet i traditës së mirë për shkak të historisë së pasur të saj dhe artistëve në zë. Është një hapësirë e involvuar dhe e mirë ushqyer tashmë me një art të kohës dhe pikërisht për këtë e bën sjelljen e një artisti si Ardian Isufi të rëndësishme për të konfrontuar idetë e tij, dhe për shkak të dialogut dhe natyrës disi ndryshe të tij do ngrejë interesat e këtij qyteti në dialogun e saj tashmë të hapur ndaj eksperiencave të reja në artin e sotshëm”, shprehet ai. Në tekstin e tij rreth krijimtarisë së artistit dhe pedagogut të arteve Ardian Isufi, kuratori Vladimir Myrtezai-Grosha vijon më tej se kurimi i këtij autori është edhe një përgjegjësi e lartë e shkruesit të këtyre radhëve, për shkak të lidhjeve të tija emocionale e të veçanta historike me këtë qytet. “Risjellja ndaj vendeve ku ke jetuar e kaluar një kalvar ulje ngritjesh sa emocionale e sa të përballjes me të e bëjnë këtë ndërhyrje të një lloji të veçantë, si një territor i një dialogu mbjellur me kohë si parashikim i së ardhmes dhe si riverifikim i gjërave aq fort të ëndërruara. Udhëtimi i një ndërhyrjeje arti apo i një ekspozite personale të një autori nga pikëpamja e mbështetjes i jep kuptim konceptit të përbashkuar mes mej e autorit. Do më kujtonte shprehjen nga Angela Bulloch: “Shpesh herë punët evolojnë mbasi të jenë publikuar,nga fakti i thjeshtë sepse ato kanë ardhur në jetë me një element ndryshimi, ose nga ndonjë trashëgimi që bën ndryshimin të ndodhë.””, shkruan profesor Myrtezai.

Vepra e artistit

Ekspozita “Mirrors should think longer before they reflect” do të hapet pas disa ditësh në galerinë e Shkodrës, e cila në një tekst të saj mes të tjerave shkruan se vepra nuk është vetëm një leksion i moralit estetik (i të bukurës dhe i të dobishmes), vepra e Ardian Isufit tenton të rregullojë dhe ti japë ritmin e duhur të kuptuarit dhe të përjetuarit me vërtetësi e respekt të së kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes. “Vepra e tij merret pothuaj me çdo gjë që përbën inkoherencë dhe çudi, ajo ka një sens rregullator kur zbret në sit, duke i klasifikuar gjërat përmes një filozofie urbaniteti që përcakton distancat e koordinatat e gjithsecilit prezent që e jeton, e lexon dhe do ta mësojë këtë sit prandaj ajo është e rëndësishme”, thuhet në tekstin e galerisë. Në fund të diskutimit, vepra e Isufit nuk na lë një imazh pa identitet të përcaktuar (për hir të vazhdimësisë së debatit), përkundrazi ajo qartëson në mënyrë të kthjellët atë, që është ai i shoqërisë tranzitore shqiptare duke mos u mbyllur thjesht në zbulimin e tij. Vepra e Isufit, shkruan galeria, zgjerohet duke hapur një rrugë të re, atë të debatit dhe ndërtimit të imazhit të shoqërisë post/tranzitore shqiptare. Ekspozita do të qëndrojë për publikun deri më datë 12 qershor në Shkodër.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here