Të dhënat zyrtare të INSTAT për katërmujorin e parë të vitit 2026 pasqyrojnë lëvizjet e çmimeve të konsumit, ku realiteti në treg dëshmon një tendencë rritëse të vazhdueshme që gërryen fuqinë blerëse. Analiza e shifrave provon se produktet e shportës po pësojnë një shtrenjtim, ku krahasimi mes muajve nxjerr në pah presionin e lartë mbi buxhetet familjare.
Vlen të theksohet se këto janë çmime mesatare të përllogaritura nga institucionet zyrtare. Në praktikë në dyqane, tregje dhe rrjete të ndryshme shitjeje, çmimet shfaqin luhatje të konsiderueshme duke i tejkaluar shpesh herë këto shifra zyrtare në varësi të vendndodhjes apo cilësisë së produkteve.
Sipas INSTAT, mishi i viçit një produkt bazë ka shënuar një rritje prej 28,2 lekësh për kilogram brenda katër muajve, duke u ngjitur nga 1.191,3 lekë në janar në 1.219,5 lekë në prill.
Edhe vaji i ullirit ka pësuar rritje duke u tregtuar me 806,9 lekë për litër në prill, krahasuar me 792,4 lekë në janar, një diferencë prej 14,5 lekësh.
Nga ana tjetër mishi i pulës ka lëvizur nga 488,9 lekë në janar në 481,4 lekë në prill, duke treguar një lehtësim minimal prej 7,5 lekësh.
Perimet mbeten sektori më i prekur nga luhatjet. Domatet të cilat në janar kishin një çmim prej 176,2 lekësh për kilogram, kapën kulmin në mars me 286,0 lekë, përpara se të zbrisnin në 210,4 lekë në prill.
Specat nga 216,7 lekë në janar, shënuan 260,3 lekë në shkurt, ndërsa në prill çmimi zbriti në 224,9 lekë, duke rezultuar 8,2 lekë më shtrenjtë se në janar.
Produkte si buka duken të stabilizuara, duke kaluar nga 137,6 lekë në janar në 136,3 lekë në prill, një zbritje prej vetëm 1,3 lekësh, ndërkohë që kostoja për familjet mbetet e lartë.
Çmimi i vezëve ka rënë nga 26,0 lekë për kokërr në janar në 24,5 lekë në prill, ndërsa djathi i bardhë ka shënuar një rritje të lehtë nga 920,6 lekë në janar në 919,9 lekë në prill.
Inflacioni i heshtur/ Sa po rëndohet shporta e konsumatorit në 2026?
Mesataret e publikuara fshehin vështirësinë e vërtetë të qytetarëve, të cilët përballen me një kosto jetese që rritet shumë më shpejt se sa të ardhurat e tyre.









































