Teatri Kombëtar kujton regjisorin Esat Oktrova, figurë e shquar e teatrit shqiptar

0
35

Teatri Kombëtar kujtoi në 91-vjetorin e lindjes regjisorin e njohur Esat Oktrova. Ai u lind në Pogradec më 28 prill 1930. Teatri ka publikuar një material për artistin e njohur, që u nda nga jeta në vitin 2001 dhe e cilëson një figurë të shquar. “Teatri Kombëtar kujton 91-vjetorin e lindjes së regjisorit dhe një prej figurave të shquara të teatrit shqiptar Esat Otrova”, shprehej Teatri Kombëtar të mërkurën përmes një statusi në Facebook. Esat Oktrova mësimet e para i mori në qytetin e Pogradecit dhe në shkollën e mesme në qytetin e Korçës. Më pas vazhdoi Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Në këtë kohë fillon karriera e tij në fushën e aktrimit, veçanërisht në “Estradën e Ushtarit” në Tiranë, ku ra në sy talenti i padiskutueshëm. Pas mbarimit të ushtrisë ai vijoi studimet e larta në Institutin e Lartë Shtetëror të Artit Teatral në Moskë, në Fakultetin e Regjisë. Pas përfundimit të studimeve, emërohet fillimisht regjisor e më pas drejtor i teatrit “Migjeni” në Shkodër. Esat Oktrova ishte në teatrin “Migjeni” me një formim të konsoliduar si regjisor. Njihte traditat më të mira të teatrit shqiptar që kur studionte në degën e Dramës të Liceut Artistik “Jordan Misja” dhe arritjet e teatrit botëror nëpërmjet spektakleve të teatrove më të shquara të vendeve të ndryshme, me të cilat ishte njohur gjatë studimeve të larta në Fakultetin e Regjisurës. Në atë fakultet ai fitoi një kulturë profesionale bashkëkohore për teorinë e regjisurës gjithashtu dhe për artet e tjera të domosdoshme për përgatitjen e shfaqjeve skenike si: muzika, artet figurative, arkitektura, skerma, historia e mendimit teatror botëror, etj. Në teatrin “Migjeni”, Esat Oktrova punoi nga viti 1960 deri në vitin 1967. Gjithashtu, ai ka qenë një nga pedagogët e shquar të Fakultetit të Artit Skenik në Akademinë e Arteve, në lëndën e regjisurës së teatrit, hartues i programeve dhe teksteve mësimore. Është shpallur “Qytetar nderi” i Pogradecit dhe i Shkodrës. Ka mbajtur titullin shkencor “Profesor” dhe është dekoruar me titullin “Artist i Merituar”. Esat Oktrova ka interpretuar rolin kryesor në filmin artistik “Zemra që nuk plaken”. Regjisori Esat Oktrova ndërroi jetë në Tiranë më 21 mars 2001.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj