Ekspozita “Ngjyrat e politikës” hapet me punët e një grupi artistësh

0
605

Ekspozita me piktura “Ngjyrat e politikës” u hap për publikun me punët e një grupi artistësh. Ekspozita u çel në mjediset e galerisë “Argonaut Art Factory” në Tiranë, dhe është kuruar nga artisti Kristian Zara. Si kurator, në tekstin mbi ekspozitën Zara shprehet se “Ngjyrat e politikës” është një ekspozitë në grup nga artistët shqiptarë, e cila mund të barazpeshohej me përpjekje guximtare brenda tregut të sotshëm te artit e kulturës së vendit. “Përse duhet guxim? Së pari, kjo ekspozitë përbëhet vetëm nga punime në pikturë (vaj). Së dyti, kjo ekspozitë ndërhyn drejtpërdrejtë në analizën e politikës, një analizë kjo ndryshe nga ajo e cila shërbehet prej tre dekadash në kutinë e xhamit mediatik. Për më tej, duke u ndodhur në një klimë artistike ku mbizotëron teknika e re, e ashtuquajtur konceptuale (Media Made Art) në përqasjet artistike, të risjellësh në sipërfaqe pikturën do të cilësohej sikurse kundra rrymë”, shkruan ai. Kuratori Kristian Zara shtron pyetjen se: a nuk është kjo vlera që të gjithë i bashkangjisin ekzistencës së artit në botën njerëzore? Pra se sa i nevojshëm sipas tij është nervi dhe e ndryshmja, që një apo disa artistë sjellin në të përditshmen e jetëve tona. “Kështu që, nëse ky aspekt i artit pamor vlerësohet si diçka e çmuar, atëherë duhet t’i japim mundësinë dhe hapësirën të kultivohet nëpërmjet mbështetjes dhe kurajës, që janë të domosdoshme për çdo artist i cili/e cila është si një element-katalit për përparimin dhe ndërtimin e shoqërive tona në vend. Mjafton të imagjinosh një pemë pa fryte që të kuptosh thelbin dhe rëndësinë e artit, në vazhdimësinë e qytetërimit njerëzor. Këtë gjë, mundohemi ne si artistë, t’a hedhim brenda çdo reflektimi të nevojshëm të cilin njeriu i sotshëm është e rëndësishme të ndërmarrë në vetvete fillimisht”, shkruan në tekstin e tij Zara. Artistët pjesëmarrës në ekspozitë janë Anisa Paturi, Arnilda Kyçyku, Anxhelo Gjonçi, Edinjo Jahja, Egi Xherija, Enea Ziu, Gerta Hoxha, Irma Rexhepi, Kristanja Çene, Kristian Zara, Resina Meçani, Sandra Agaj, Stiven Petoshati, Tedi Braka.

Lëvizja artistike

 Për kuratorin Kristian Zara atë që “Argonaut Art Factory” ka nisur të ndërtojë, mund të krahasohet me lëvizjet artistike në fillimet e artit modern. “Po të kujtojmë lëvizjen artistike DADA, të cilët u ngritën si një frymë kundra rrymës së kohës. Në thelb, të ringresh në sipërfaqe pikturën dhe skulpturën në pellgun e sotshëm të mirë konkretizuar artistik, është e njëjta gjë. Të njëjtat pengesa, mundime, punë dhe vështirësi, por edhe vlera së fundmi”, vijon në tekstin e tij Zara. Sipas artistit, ky pozicionim herë i skajshëm (mbase i tij vetjak që po e shkruan këtë) nuk duhet të shqetësojë askënd dhe asgjë, sepse edhe pas modernizmit piktura ende sot ekziston. “Por, ajo që është e rëndësishme të piketohet sot është se kemi nevojë të pozicionohemi, edhe ne të etiketuarit si art tradicional, në nivelin më të lartë dhe të dalim në sipërfaqe aty ku merita duhet t’i peshojë të gjithë sipas vlerave dhe rëndësisë përkatëse”, thotë kuratori në shkrimin e tij. Kristian Zara shprehet se artistët gjithmonë do të gjejnë rrugën për të arritur të komunikojnë me mbarë shoqërinë, edhe sikur ato të mungojnë për shkak të politikave, të cilat zaptojnë çdo hapësirë për shprehjen e lirë duke shtyrë përpara vetëm llojin e artit, që u shërben vetë plan-politikave. “Ne të tjerët mundemi gjithmonë të krijojmë rrugë paralele. Edhe se të lënë mënjanë, nuk do të munden të na bllokojnë për kohë të gjatë, sepse atë që ne mësojmë përgjatë studimeve tona është zgjidhja e problemeve. Një artist i vërtetë duhet të vendoset në shërbim të së vërtetës, t’i rezistoj shtypjes dhe të kundërshtojë gënjeshtrën (Camus. A. Stockholm, dhjetor 1957)”, shkruan kuratori. Ekspozita me piktura, që u hap më 24 prill do të qëndrojë deri më 17 maj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here