Kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj kalon me sukses vetingun e KLP, del e pastër në të gjitha kriteret

0
232

Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi në mënyrë unanime përfundimin e procedurës së verifikimit të pasurisë dhe figurës për drejtuesen e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj dhe atë të Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi. Imeraj dhe Ajazi janë kandidatët e vetëm për postet respektive, të cilat i drejtojnë aktualisht si të caktuar përkohësisht. Në njoftimin e KLP-së thuhet se verifikimi i pasurisë dhe figurës për Imerajn dhe Ajazin u krye nga Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale. Anëtarët e KLP vendosën unanimisht që t’i lejojnë kandidatët për të vijuar procedurat e mëtejshme të ngritjes në detyrë. Procesi i ngritjes në detyrë të prokurorëve Elisabeta Imeraj dhe Kreshnik Ajazi po kryhet pa një vendim të institucioneve të vetingut. Imeraj po verifikohet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit prej shtatorit 2018, ndërsa Ajazi prej marsit 2019, por pavarësisht kohës së gjatë, asnjëri prej tyre nuk ka dalë ende në seanca dëgjimore. Megjithatë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ndryshoi në tetor 2020 rregulloren për rekrutimin dhe karrierën e prokurorëve, duke i dhënë të drejtën vetes që të kryejë verifikimin e pasurisë dhe figurës për kandidatët, pa kaluar më parë testin e institucioneve të vetingut. Nënkryetari i KLP, Alfred Balla lexoi në fillim të seancës relacionet për verifikimin e pasurisë dhe pastërtisë së figurës për secilin kandidat. Për drejtuesen e Prokurorinë e Tiranës, Elisabeta Imeraj, Balla tha se ajo është shprehur se nuk ka konflikt me asnjë prej anëtarëve të komisionit në KLP, që ka kryer verifikimin e pasurisë dhe pastërtisë së figurës. “Për verifikimin e pasurisë, kuptohet që barrën më të madhe e ka Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave”, tha Balla. Ai pohoi se sipas raportit të dërguar nga ILDKPKI, Imeraj ka kryer deklarim të saktë dhe në përputhje me ligjin; se ka burime të ligjshme për krijimin e pasurive; se nuk ka fshehje apo deklarim të rremë dhe se nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesit. Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka kërkuar informacione gjithashtu nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Drejtoria e Tatimeve dhe e Doganave dhe ka arritur në konkluzionin se deklarimet e pasurisë së Imerajt janë në përputhje me rezultatet e ILDKPKI. “Në këtë mënyrë kemi konkluduar se nuk nevojitet një hetim më i thelluar nga ai i kryer nga ILDKPKI-ja”, deklaroi Balla. Sipas BIRN, gjithashtu, institucionet e verifikimit të figurës kanë dërguar në KLP raporte pozitive për Imerajn, duke arritur në përfundimin se nuk ka të dhëna për kontakte të papërshtatshme. Balla vijoi se u janë kërkuar informacion gjithë prokurorive për kallëzime apo procedime të mundshme ndaj Imerajt. Ai tha se ka vërejtur që thuajse për 90% të prokurorëve shikohet një korrespodencë e tillë që, shumë qytetarë që nuk pëlqejnë rezultatet e vendimeve të prokurorëve, bëjnë ankesa apo kallëzime, që sipas Ballës thuajse në të gjitha rastet janë pushuar ose mosfilluar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here