Parlamenti rrëzon dekretin e presidentit, kalon ligjin për karrierën e ushtarakëve/Si ndryshojnë pagat në bazë të gradave

0
444

Ditën e djeshme Komisioni i Sigurisë ka rrëzuar dekretin e presidentit Ilir Meta për “Kthimin e ligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar. Fjalën e mori përfaqësuesi i Presidencës Bledar Dervishaj i cili tha se, ministria përgjegjëse nuk është konsultuar me presidentin në hartimin e këtij ligji dhe as me grupin që preket nga këto ndryshime. Sipas tij, është shkelur Kushtetuta sidomos tek pika që trajton kriteret e rekrutimit për ushtarët e rinj dhe kalimin në pasivë të atyre që kanë mbushur moshën. Dervishaj tha se, nuk duhet të pranohen në Gardë ata persona që kanë mbaruar vetëm arsimin 9-vjeçar, pasi cenohet barazia me ata që janë aktualisht në gardë. Sipas tij, kjo do të kërkonte më shumë kosto që shteti nuk i ka dhe do nxjerrë pasivë disa punonjës që akoma nuk e kanë plotësuar normën, për të marrë benefitet më pas. “Nga shqyrtimi i përmbajtjes së ligjit me keqardhje konstatohet se kjo nismë ligjore, me kaq rëndësi për Forcat e Armatosura dhe që nisur nga parashikimet në dispozita të caktuara, do të sjellë impakt afatgjatë në përbërjen dhe ecurinë në karrierën e ushtarakëve, nuk është konsultuar paraprakisht me vetë ushtarakët, dhe as me Presidentin e Republikës. Në këtë mënyrë, ishte e detyrueshme që përgjatë fazës së hartimit të draftit fillestar, të ishte thirrur për konsultime paraprake në mënyrë që të shprehej duke dhënë kontributin e tij institucional me qëllim përmirësimin e normës”, u shpreh ai. Por kjo deklaratë krijoi diskutime të forta mes anëtarëve të komisionit. Sipas tyre, fjalët e thëna nga Dervishaj nuk janë konstatime, por janë deklarata elektorale, që Presidenti është mësuar të bëjë vazhdimisht kundër çdo institucioni qeveritar. Ndërkohë, drejtuesja e komisionit Ermonela Felaj sqaroi për Dervishajn se ai konstatim nuk qëndron, sepse edhe ligji i vjetër përcaktonte arsimin parauniversitar, ndryshimet vetëm e kanë specifikuar dhe japin mundësi për të ndjekur shkollën njëkohësisht. Ndërsa ndryshimet në grada janë bërë për të përafruar nivelin e pagave me atë të punonjësve të policisë si dhe për të rritur eficiencën në Gradë. z. Petro Koçi cilësoi se këto ndryshime janë mirëpritur në masën e gjerë të ushtarakëve të të gjitha gradave. Në fund të diskutimeve komisioni rrëzoi me shumicë votash dekretin e presidentit.

Ndryshimet në paga

Ashtu sikur shpjegoi kryetarja Felaj, gradat janë njësuar dhe barazuar me ato të Policisë së Shtetit për të balancuar kështu edhe pagat për punonjësit në bazë të gradës që gëzon. Drejtuesit kryesor do të kenë ulje të pagave deri në 10 mijë lekë të reja kurse vartësit e tyre rritje deri në 3 mijë lekë. Konkretisht, Kapter i Katërt dhe Rreshter paga bazë ka qenë 48.000 lekë dhe 46.700 lekë ndërsa u bëhet të dyve 50.000 lekë sipas pagës në polici. Në gradat e mesme; Kapter i parë, Kapter i Dytë dhe Kapter i tretë, përkatësisht pagat bazë ishin përkatësisht 49.900 lekë, 49.400 lekë dhe 48.900 lekë, ndërsa bëhet për të gjithë 50.000 lekë. Për Kapter paga bazë 52.500 lekë, për Kapter Shtabi 51.400 lekë, për kapter mjeshtër 50.300 lekë. Këto janë gradat ku fillon ulja dhe paga për të gjitha bëhet 50.000 lekë. Sakaq Nëntoger, Toger dhe Kryekapter paga bazë ka qenë 64.100 lekë, 67.000 lekë dhe 55.200 lekë, ndërsa sipas ligjit të ri iu bëhet Toger dhe Nëntoger 65.500 lekë dhe Kryekapter 50.000 lekë. Për Kapiten dhe Nënkapiten paga janë 74.200 lekë dhe 70.500 lekë dhe bëhen për të dy 72.000 lekë. Një Major pagën bazë e ka 86.600 lekë me ligjin e ri i bëhet 87.000 lekë. Për Kolonel dhe Nënkolonel paga bazë është përkatësisht 113.400 lekë dhe 100.400 lekë dhe me ligjin e ri bëhen 103.000 lekë dhe 99.000 lekë. Ndërsa për Gjeneralët paga bazë është 126.500 lekë dhe ligji i ri e ul në 125.000 lekë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here