Google search engine
Home Politike Shtohen zërat për bashkëqeverisje PD-PS/ Damian Gjiknuri jep sinjale për marrëveshje me...

Shtohen zërat për bashkëqeverisje PD-PS/ Damian Gjiknuri jep sinjale për marrëveshje me demokratët nëse nuk sigurohen 71 mandate

0
407

Shtohen zërat për një bashkëqeverisje të mundshme mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Edhe pse demokratët e mohojnë dhe dy ditë më parë firmosën koalicion me LSI për të qenë bashkë pas 25 prillit, sërish qarkullojnë sinjale se Rama e Basha mund ta ndajnë qeverinë bashkë. Pakti mes LSI dhe PD nuk ka asnjë vlerë juridike. LSI i trembej një 17 maji të dytë pas zgjedhjeve dhe uli Bashën në tryezë nga frika e një bashkëqeverisje me PS. Por nëse shihet dokumenti, gjithçka i lihet rezultatit të zgjedhjeve dhe nuk bëhet fjalë për ndarje postesh. Juristë dhe politologë e kanë parë marrëveshjen si jo shumë me vlerë pasi ai dokument nuk ndalon LSI të shkojë te PS apo dhe PD të shkojë te PS. Pra rruga e zhvillimeve të shumta pas 25 prillit është sërish e hapur. Ai që i ka hedhur më shumë benzinë zjarrit duke bërë me dhimbje koke LSI, është Damian Gjiknuri. Në një studio televizive, deputeti i PS paralajmëroi se pas 25 prillit mund të ketë një marrëveshje shumë të bujshme dhe prandaj presidenti ka nisur sulmet. Edhe pse nuk e tha drejtpërdrejt, deklarata e Gjiknurit shihet si një sinjal se PS mund të tentojë të bëhet bashkë me PD. “Besoj që nuk do të kemi nevojë për ato mandate. Meta po fillon po projektohet si lider i opozitës. Siç duket nuk ka besim te Lulzim Basha. Ka kohë që punon për të tillë. Nuk ka më besim te lideri aktual i opozitës. Mendoj që PS nuk do të mbetet peng i mandateve të LSI-së. Nuk dua të spekuloj për të ardhmen, politika është një terren që lëviz, do të shihet vullneti i popullit dhe do të shohim. Mund të ketë edhe ndonjë marrëveshje më të madhe, që mbase i trembet Meta…”, tha Gjiknuri. Ai sulmoi dhe marrëveshjen mes PD dhe LSI, çka tregon se socialistët nuk e donin një pakt të tillë. Ndërkohë dje kryeministri Rama deklaroi se kanë qenë Meta e Berisha që detyruan Bashën të ulet me LSI. “Kjo marrëveshja PD-LSI duket një marrëveshje bosh. Nuk ka përmbajtje dhe nuk sjell as vota. Po të kishin këllqe do të dilnin në një listë. Janë njëlloj si në 2017, atëherë edhe shaheshin, tani kanë bashkuar dy grushtet”, tha Gjiknuri.

Lëvizjet e partnerëve dhe Meta

Sipas burimeve të gazetës, ideja e një bashkëqeverisje mes PD dhe PS ka gjetur mbështetje dhe nga disa vende partnere. Kryeministri Rama ishte në Bruksel të hënën dhe BE e bëri të qartë se kërkon stabilitet politik. Nga ana tjetër ambasadorja e SHBA pak kohë më parë në një studio televizive u pyet për idenë që qarkullon për një bashkëqeverisje mes PD dhe PS, ku ajo preferoi që të mos komentonte. Më herët ish-përfaqësues të LSI deklaruan se ndërkombëtarët po u kërkojnë funksionarëve të kësaj partie të ikin nga Kryemadhi, ndërkohë presidenti mori një shuplakë të fortë me dekorimin e Ardian Dvoranit, kjo tregon se të gjithë duan shkrirjen e LSI. Ndërkohë reagimi i presidentit të hënë mbrëma ka shtuar dhe më tej dyshimet se në prapaskenë po luhet diçka më e madhe. Meta si kurrë më parë kërcënoi Bashën se do i marrë frenat e opozitës, ndërsa sulmoi drejtpërdrejt amerikanët. Sjellja e presidentit bie ndesh me zhvillimin që ndodhi paraditen e së hënës, ku PD e LSI u zotuan për bashkëqeverisje. Gruaja e tij ishte mjaft e lumtur, por Meta aspak. Atëherë lind pyetja: Çfarë e shqetëson presidentin? Sipas burimeve, LSI së pari këmbëngulte te lista e përbashkët. Mësohet se Kryemadhi ka kërkuar mbi 20 deputetë në lista të sigurta, gjë që Basha nuk e ka pranuar. Elementi i dytë është se LSI kërkon Ministrinë e Brendshme dhe disa ministri kyçe në vend që Basha sërish nuk e ka pranuar. Këto duket se kanë shqetësuar presidentin, pasi duket se nuk është i sigurt për atë që vjen pas zgjedhjeve. Marrëveshja e firmosur nuk ndalon asnjë palë që të shkojë diku tjetër dhe tani lufta është ndezur.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here