Veliaj inspekton punimet te rrugicat e Astirit: Po urbanizojmë gjithë zonën, i rrisim vlerën pronës

0
22

Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punimet në Rr. “Tom Plezha”, ku u shpreh se punimet pritet që të mbarojnë në fund të marsit, duke i hapur rrugë kështu urbanizimit të zonës.

“Këtu ka qenë një zig-zage e tmerrshme, si një kalim me pengesa, nga ato kiçet e projekteve që trashëguam nga ish-komuna. Do të fokusohemi që ta mbyllim këtë aks deri në 31 mars, që të mos bllokohet më puna tek Astiri. Nga ky moment, zona fillon e urbanizohet”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se kur nuk pengohet puna, projektet mbyllen në kohën e duhur. Duke i falenderuar ata për durimin dhe mirëkuptimin, Veliaj shtoi se vonesat ndodhin kur politika vishet si “brigadier komunaleje”.

“Po të kishte mbaruar Astiri para tre vitesh, nuk do kishim patur mbivendosje të projekteve. Plani ishte që të mbaronte aksi kryesor, e më pas të fillonte aksi dytësor, për t’u futur me investime nëpër lagje. Pra, kur politika fut hundët dhe bëhet si brigadier komunaleje, për të sabotuar punët e qytetit, jo vetëm që ngushtohemi, jo vetëm që duhet të përballemi edhe me kushtet atmosferike, edhe me mbivendosjen e trafikut në disa projekte paralelisht, por sigurisht përkthehet edhe në stres për qytetarët”, nënvizoi ai.

Më tej, Veliaj tha se po punohet me të njëjtën cilësi si në qendër, ashtu edhe në periferi të Tiranës. Ai theksoi se aktualisht janë mbi 100 kantiere të hapura, që kanë të bëjnë me projektin e 100 lagjeve, ndërsa shtoi se po të shohë secili punën e vet gjërat bëhen më shpejt.

“Mësimi që nxjerrim nga kjo histori, është se politika duhet të bëjë politikën: kush është për në Parlament, të rrijë në Parlament; kush është për të bërë rrugë e ujësjellësa, të bëjë rrugë e ujësjellësa. Kush është për të qëndruar në Presidencë, t’i shërbejë Presidencës. Kur ndërrojmë vendet dhe secili merret me punët e tjetrit, asnjë punë nuk shkon deri në fund”, vijoi kryebashkiaku.

Në fund, Veliaj tha se në zonën e Astirit do të ndërtohen tre shkolla të reja. Rruga “Tom Plezha” do të shërbejë per përmirësimin e jetës së komunitetit që banon në zonën e Astirit, duke iu mundësuar ndërlidhjen e tyre me rrugën kryesore “Teordor Keko” në Unazën e Madhe.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj