Mbrëmjen e djeshme, trajneri i Kombëtares Rolando Maran dhe mbrojtësi e kapiteni i përfaqësueses, Berat Gjimshiti, dolën para gazetarëve dhe dhanë mendimet e tyre për pragndeshjen e sotme me San Marinon, ndeshje që do të luhet në orën 20:45. ““Nuk është e thjesht. Përqendrimi duhet të jetë në çdo ndeshje 100%. Dhe më shumë në këto ndeshje ku pritet që Kombëtarja jonë të ketë kontrollin e lojës. Shumica besojnë se do jetë ndeshje e thjesht, por nuk do jetë ashtu aspak. Varet nga ne, a e bëjmë të thjesht apo jo. U kthyem në këto lojëra që janë shumë të rëndësishme. Liga e Kombeve që na jep opsion për Europianin. Hapi i parë ishte ky te ndeshja e fundit, që zhvilluam një ndeshje të mirë dhe fituam me meritë. Synimet janë të forta, duam vendin e parë dhe duhet të përmirësohet gjithë grupi që të luajë bashkë dhe të japë 100% për 90 minuta. Në këtë nivel, shumë shpejt ndryshon loja nëse gabon. Futemi në fushë me mentalitetin e duhur. Të jemi gati 100%. Varet si do luajë San Marino, por edhe më shumë si do luajmë ne. Me agresivitetin dhe kualitetin që kemi, do ia dalim bashkë. Duhen 11 lojtarë në fushë, ata nga pankina do jenë shumë të rëndësishëm nesër. Kjo duhet të jetë forca jonë nesër”, theksoi Gjimshiti.
Maran do fitoren, të tjerat i zbërthen në fushë
Për trajnerin Maran ndeshja me San Marinon vjen në momentin e duhur, pasi ka siguruar më parë një fitore bindëse ndaj Bjellorusisë. Maran dëshiron tri pikë sot dhe më pas duhet të mendojë për ndeshjen në transfertë ndaj Finlandës. Tekniku tha se San Marino është kundërshtar që duhet respektuar. “Shqipëria duhet të bëjë një ndeshje serioze, me përqendrim maksimal. Janë ndeshje që të ndihmojnë për të ndërtuar mentalitetin e skuadrës. Duhet durim i veçantë. Në këtë mënyrë di dhe çfarë duhet të bësh. Duhet shumë respekt për San Marion, do marrim masat e duhura për çdo situatë që do të krijohej. E rëndësishme është të bëjmë ndeshjen më të mirë të mundshme. Të lexojmë situatat e caktuara që do të ketë ndeshja.
Do të bëjmë zgjedhjet më të përshtatshme. Në varësi të situatave mund të përdorim edhe vertikalizimet”, tha trajneri. Më tej ai foli për formacionin, duke mos dhënë detaje, por as duke mos e përjashtuar mundësinë e ndonjë ndryshimi nga ndeshja me bjellorusët në Tiranë. “Praktikisht e kam një ide se kush mund të jetë 11-shja që do të startojë. Kemi dhe rreth 24 orë para se të luajmë ndeshjen. Jam i bindur që të gjithë do të hynë në fushë për të bërë ndeshjen më të mirë të mundshme. As lojtarët nuk e dinë ende, kjo do të ishte mungesë respekti që të merrej vesh përpara nga media. Këto orët e fundit do të pres, për të bërë matjet e fundit.
Më shumë sa i përket aspektit fizik. Është diçka ndryshe dhe fakti që luhen 4 ndeshje radhazi për herë të parë. Kur bëra listën e lojtarëve, kam marrë parasysh kushtet fizike dhe karakteristikave. Qoftë të kundërshtarëve, por edhe të lojtarëve. Mund të ketë ndryshim, por jo të fizionomisë të skuadrës. E rëndësishme që ne të rritemi në vlerë, jam i bindur që kushdo të luajë do jetë i motivuar për të bërë më të mirën. 28 lojtarët e grumbulluar kanë impenjimin maksimal. Mund të ketë ndonjë ndryshim, pasi e favorizojnë kushtet, por jo në fizionominë e skuadrës”, shtoi ai.






































