Raporti Sigurimit në ’68-ën: Jugosllavia dërgoi ushtrinë në kufi, në Tuz një oficer i tha shoferëve tanë; ‘Rroftë shoku Enver Hoxha’

0
44

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë) fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), që i përkasin vitit 1968, ku Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Feçor Shehu, me anë të disa raport-informacioneve me siglën “Tepër sekret”, informon Komitetin Qëndror të PPSH-së dhe personalisht, Hysni Kapon, sekretarin që mbulonte organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes Popullore etj., lidhur me “komentet armiqësore” që bëheshin nga elementë të ndryshëm në disa rrethe të vëndit, si: në Tiranë, Durrës, Lushnje, Lezhë, Tropojë, Sarandë, Kukës, Elbasan, Gjirokastër, Përmet, etj., për agresionin ushtarak të Bashkimit Sovjetik ndaj Çekosllovakisë! Si i komentonin ato ngjarje në burgun e Burrelit, të dënuarit politik, si: Halim Xhelo, Maqo Çomo, Kin Dushi, Vangjel Xhomaka, Abdulla Sallaku, etj., si dhe disa pjestarë të trupit diplomatik të huaj të akredituar në Tiranë, të cilët ishin vënë nën përgjim nga ‘Shtëpia me Gjethe”?!

“Elementë antiparti që vuajnë dënimin në Burgun e Burrelit, për ngjarjet në Çekosllovaki janë shprehur: ‘Halim Xhelo ka thënë; Meqënse e filluan sovjetikët në Çekosllovaki, do të vazhdojnë me rradhë nga Jugosllavia, Rumania e Shqipëria, që të vendosin njëherë e mirë rregull’. Maqo Çomo ka thënë: “Ndërhyrja ushtarake në Çeki është një inkurajim për forcat e opozitës në Kinë, ngjall shpresa edhe për një mundësi të ndërhyrjes së sovjetikëve në Kinë. Ardhja në fuqi e Dubçekut dhe tendenca për shkëputje nga kampi, ka të bëjë me një komplot të madh ndërkombëtar, ku kanë gisht kinezët, imperialistët, jugosllavët, rumunët. Kinezët mbështesin çdo forcë dhe vënd, vetëm me konditë që të jenë kundër B.S. Në një bisedë që ka bërë Maqo Çomo me Vangjel Xhomakën, Maqua i ka thënë: ‘Do të jem armik i udhëheqjes së partisë dhe shtetit tone, për aq kohë sa ajo do t’i kundërvihet udhëheqjes sovjetike, dhe në rast se ata do të merren vesh midis tyre, unë nuk kam asnjë pretendim për udhëheqjen e sotme të vëndit tonë. Do të ishte gabim të kërkoj nga sovjetikët që të vinin si kusht për normalizimin e marrëdhënieve me Shqiprinë, ardhjen në fuqi të personave të dënuar nga partia, si Bedri Spahiu, Liri Belishova, etj. Këta që flasin në këtë mënyrë kundër Bashkimit Sovjetik, duhet të jenë ndonjë agjenturë e imperializmit, se ndryshe nuk ka se si ta kuptosh’. Kështu thuhet në mes të tjerash në një raport-informacion me siglën ‘Tepër sekret’ të vitit 1968, të Drejtorit të Sigurimit të Shtetit, Feçor Shehu, dërguar sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Hysni Kapo, lidhur me “komentet armiqësore” që bëheshin në rrethe të ndryshme të vendit, në rradhët e Ushtrisë, në Burgun e Burrelit, në trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, etj., lidhur me agresionin ushtarak të Bashkimit Sovjetik ndaj Çekosllovakisë. Për më shumë rreth kësaj, na njohin dokumentet arkivore që Memorie.al po i publikon të plota, duke filluar nga numri kaluar.

                                                       Vijon nga numri i kaluar

Raport-informacioni i Feçor Shehut për Hysni Kapon

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE               TEPER SEKRET             

MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDESHME                EKZ, Nr.1

DREJTORIA E PARE                       Tiranë, më 22 /IX/ 1968

Nr. 1786 Prot.

Lënda; Mbi komentet të bëra nga element armik dhe nga të huaj

SEKRETARIT TE KOMITETIT QENDROR TE P.P. SHQIPERISE

SHOKUT HYSNI KAPO                                                                   

                          TIRANE

                   Komente armiqësore

Nga njoftimet e bëra këto dy ditë nga Degët e Punëve të Brendshme të rretheve, mbi komentet armiqësore, më kryesoret janë;

  • Në rrethin e Tiranës

“Vëndi jonë është vend i vogël dhe nuk ngre asnjë peshë. Sovjetikët nuk u vënë veshin fjalëve të këtyre, tani që dolëm nga Traktati i Varshavës, në rast rreziku nuk ka kush na ndihmon, më përpara edhe po të flisnim keq kundër traktatit, ata në rast rreziku, do të na ndihmonin, këta i gënjen mëndja se do t’u vijë në ndihmë Kina, me masat që po merren, po bëhet mobilizimi i përgjithshëm, por kujt do t’i bëjnë ballë këta, rusëve që pushtuan Çekosllovakinë brenda 3 orëve?! Çekët bënë mirë që nuk luftuan; sepse do të derdhej gjak kot, këtu tek ne do të derdhet gjak, që kur u prishëm me B.S., mbetëm tuneleve dhe na mbeti pushka në krah, kundër sovjetikëve nuk lufton njeri, bile po i presin me padurim, sidomos ata që kanë studiuar në B.S., etj”.

  • Në rrethin e Durrësit

Fjalimi i kryeministrit në Kuvendin Popullor është kërcënonjës dhe bombastik, nuk është e kuptueshme nga do të vijë ndihma nga Kina, sepse janë faktorët gjeografikë që e bëjnë të pamundur, pushtimi i Çekosllovakisë nga sovjetikët tregoj potencialin e madh ushtarak që ata kanë, tregoj gjithashtu se midis Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-ve janë ndarë zonat e influencës, edhe ne do ta pësojmë si Çekosllovakia, mbasi Shqipëria i përket sferës së influencës së sovjetikëve, etj.

  • Në rrethin e Shkodrës

Tani që sovjetikët e filluan, do të na shpëtojnë edhe ne nga këta dhe do t’u tregojnë vendin këtyre që nuk kanë lënë gjë pa bërë, këta duallën nga Traktatin i Varshavës, por megjithëkëtë sovjetikët nuk pyesin për një gjë të tillë, edhe ne do të pësojmë fatin e Çekosllovakisë, etj.

  • Në rrethin e Gjirokastrës

Do pëlcasë lufta, vëndi jonë është i rrethuar, jemi shtet i vogël ndonjë ditë do të na zënë si atë lepurin në ferrë, pas Çekosllovakisë e kemi rradhën ne, nuk ka se kush na mbron, etj.

  • Në rrethin e Përmetit

Situata është e mirë për neve, lufta do pëlcasë në Ballkan, do të na sulmojnë edhe neve, por duhet të mëndojmë të shpëtojmë kokën, siç duket kupa u mbush, nuk jetohet më me këtë parti dhe qeveri, parashutistët, (desantët) do të hidhen në vëndin tonë me fshehtësinë më të madhe, etj.

  • Në rrethin e Lushnjes

Gjendja në Çekosllovaki u stabilizua, në zonën e influencës së tyre sovjetikët nuk lënë të ndryshojë qëndrim dhe kjo është e drejtë, patjetër edhe ne do të na sulmojnë, ata janë shumë të fortë, disponojnë armë e mjete shumë moderne, neve nuk i përballojmë dot, siç duket po na vjen dita dhe atëhere do të dimë se çfarë do t’u bëjmë këtyre.

  • Në rrethin e Sarandës

Bashkimi Sovjetik është fuqi e madhe, për 2 orë pushtoj Çekosllovakinë, ay as nuk pyet fare për forcën tonë, nuk luftohet 1 me 1000, tani që dolëm nga Traktati i Varshavës, prit kur të na sulmojnë në tre drejtime, popullin e kanë një turmë pa kulturë, që duartroket çdo person që del në tribunë dhe flet gjera pa vënd.

  • Në rrethin e Gramshit

Nuk është e vërtetë që fajtor janë sovjetikët, jemi ne shkaku i prishjes së marrëdhënieve, ata nuk janë agresorë por mbrojnë kampin socialist; po shpërndajnë armë nga frika, me largimin nga Traktati i Varshavës mbetem vetëm, prit kur të dërgojnë 2000 aeroplanë dhe pastaj çdo gjë merr fund.

  • Në rrethin e Tropojës.

Sovjetikët po të duan na pushtojnë si Çekosllovakinë, këta do të luftojnë po të sulmohemi, por nuk do të rezistojnë se rusët dhe të tjerët kanë forca të mëdha, sa të vijë ndihma nga Kina, na bëjnë copë e thërrime.

  • Në rrethin e Krujës

Një person që ndiqet si agjent i mundshëm i jugosllavëve, ka komentuar se: “Një njeri me rëndësi më ka thënë se gjendja e brendshme në vëndin tonë është kritike, jemi vënë një kundër të gjithëve në Evropë, të gjithë bashkarisht kordinojnë veprimet kundër Shqipërisë, qëllimi është i kjartë, të zhduket partia dhe sistemi socialist në Shqipëri, për të qetësuar Evropën. Dalja e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës u bë për të ulur rolin e tij, për të lëkundur Rumaninë, apo ndonjë vend tjetër, për të bërë sensacjon në shtypin e huaj”. Një person me prejardhje armiqësore, ka komentuar se; ‘Më ka thënë një oficer, se kohët e fundit është zbuluar një grup i madh antipushtet, bile më i madh nga ai i Teme Sejkos’.

  • Në rrethin e Tepelenës

Një person aq ndiqet nga organet tona, ka komentuar; ne minoritarëve nuk na duan dhe nuk na besojnë, si mua ka dhe shumë të tjerë që janë ulur nga përgjegjësia, ka dhe nga ata që për shumë kohë kanë punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Në këtë situatë po të më japin një automatik, do të hakmerrem kundër tyre. Patjetër do të sulmohet Shqipëria, NATO do të bëjë ndonjë ujdi me Traktatin e Varshavës.

  • Në rradhët e Ushtrisë.

Në dy ditët e fundit kanë bërë komente; 1 oficer, 2 n/oficer dhe 33 ushtarë.

Oficer Fatbardh Hoxha, komandant i baterisë Rep. 5832, ka komentuar se: “Po të sulmohet vëndi ynë, ne nuk rezistojmë më shumë se një muaj”. Të tjerët kanë komentuar;

Bënë gabim që dolën nga Traktati i Varshavës, tani që duallëm nga ky traktat do të na sulmojnë, ne nuk kemi aviona, armatimi është sovjetik dhe kinez, por sovjetikët kanë mjete mjaft moderne, shume herë më të mira se armatimi jonë, Shqipëria në mes të shteteve të tjera, është si një pikë ujë.

Anijet luftarake sovjetike që ndodhen në Mesdhe, i janë afruar Shqipërisë 30 milje larg, nuk duhet thënë që nuk i kemi frikën askujt, sepse Kina është larg dhe po të dojë Bashkimi Sovjetik, na bënë pluhur dhe hi, po erdhi greku këtu, vjen për minoritarët dhe këta do t’i therë, nuk përballojmë dot luftën se kemi ushtri me rezervista dhe këta janë të papërgatitur, siç duket nuk do ta gëzojmë djalërinë, nuk na haet buka nga frika se mos pëlcet lufta, po bëri bam do të dorëzohem.

Nga komentet e sipërme dhe ato të më parshmet, nxjerrim këtë konkluzion:

  1. Disa elementë antiparti në komentet e tyre kanë vënë shenjat e barazimit të ndërhyrjes së trupave sovjetike në Hungari dhe të ndërhyrjes në Çeki. Qëllimi i tyre është të paraqesin vijën e parties: pro në 1956 dhe kundër në 1968, si kontradiktor.
  2. Disa element të ndryshëm armiq, me qëllime të caktuara për të shtrembëruar qëndrimin e drejtë të partisë, kanë komentuar se qëndrimi karshi Jugosllavisë ka ndryshuar, nuk flitet më kundër saj, dhe mund të përmirësohen marrëdhëniet me të.
  3. Shumë komente nga elementi armik janë bërë me qëllim për të futur panik, duke vënë theksin në forcën e madhe sovjetike, rrethimin gjeografik, vënd i vogël i vetëm në Evropë, se Kina është larg, etj.
  4. Disa element armiq kanë çfaqur urrejtje të theksuar dhe dëshirën për t’u hakmarrë karshi kuadrove të partisë. Ndaj disa prej këtyre jemi duke marrë masa për goditje.
  5. Ka element armiq (dhe ndonjë që nuk është i qartë politikisht) që komentojnë për një qëndrim asnjajës dhe me e pas më mirë me të gjithë, duke atakuar kështu qëndrimin e drejtë të partisë.

Komentet e bëra nga të huajt:

Shoferi i legatës jugosllave, Dortikoviç, ka thënë: “Situata është shumë e nderë, ne jugosllavët, marrëdhëniet me sovjetikët i kemi më keq se i keni ju shqiptarët me ta. Ne jemi përgatitur të luftojmë kundër tyre”.

Nga shoferët tanë dhe persona të tjerë që kanë kaluar në territorin jugosllav, kanë parë se vazhdon lëvizja e trupave ushtarake. Qëndra të rëndësishme ku më parë ishin dislokuar trupa ushtarake, si Manastiri, Shkupi, Varazhdini etj., tani kanë mbetur me forca shumë të pakta, që në fakt kryejnë shërbimin e garnizonit.

Më datën 15 shtator në Tuz, janë parë lëvizje automjetesh me ushtarë dhe oficera. Makinat ngjiteshin përpjetë një bregu mbi qytet. Një nga oficerët e autokolonës jo të madhe, përshëndeti me dorë shoferët tanë dhe thërriti me zë të fortë: “Rroftë Shoku Enver Hoxha”.

Më datën 16 shtator, në zonën afër kufirit austriak, të gjitha urat ishin siguruar nga ushtria, kujdes i kishin kushtuar urave hekurudhore, në këto kishte shumë forca ushtarake. Në disa ura të rrugës automobilistike, po punohej për vënd minimet e tyre.

Më 19 shtator janë parë në lëvizje 7 autokolona ushtarake të përbëra me nga 17-18 makina secila. Këto lëvizin Nish-Shkup dhe shkonin në drejtim kufirit me Bullgarinë. Në Strugë, përveç disa rezervistëve që mobilizoheshin në repartet e kufirit, nuk u pa ndonjë lëvizje ushtarake.

Në Maribor, një shqiptar që kishte një ëmbëltore, u ka thënë shoferave tanë: “Me anë të radios dëgjuam këtu në qytet fjalimin e shokut Mehmet Shehu dhe si vëllezërit tanë në Shqipëri, e duartrokitëm edhe ne këtu, dyqani ishte mbushur plot e përplot me dëgjues, midis tyre kishte dhe jugosllav dhe kur mbaroj fjalimi, vetë këta jugosllavët thanë: “Kjo është politikë”. Një shqiptar tjetër, për fjalimin e shokut Mehmet tha: “E dëgjuam me kujdes dhe na u bë zëmra mal”.

Kohët e fundit vërehet se organet kufitare jugosllave në pikat e kalimit të kufirit e kanë ndryshuar qëndrimin karshi shoferave tanë, u bëjnë kontroll të përciptë dhe ka raste që nuk i kontrollojnë fare, u kryejnë më të shpejtë kontrollet si në dogana ashtu dhe në qytete, kanë lejuar të kalojnë kufirin për në Shqipëri më vonë se koha e mbylljes së kufirit, gjëra këto që nuk ndodhnin më parë./Memorie.al

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj