‘Nuk kemi diskutuar për pasaportën Covid’/ Rakacolli flet me shifra dhe tregon kur do vaksinohen 20% e popullatës

0
199

Zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli ka treguar mënyrën dhe kohën e cila parashikohet për të vaksinuar popullatën në vendin tonë. Në një intervistë për gazeta SI, Rakacolli thotë se 20% e shqiptarëve do të vaksinohen në tri muajtë e parë të vitit 2021.

“Do të sigurojmë menjëherë rreth 20 përqind të nevojës që ka popullsia shqiptare për vaksinim prandaj kemi bërë pagesën për mbi 1 milion e 140 mijë doza. Por nuk jemi ndalur vetëm COVAX dhe kemi bërë tratativa edhe me vende të BE, jo vetëm përmes mekanizmit të BE drejtpërdrejt, por edhe me vende të BE, për të përfituar nga dozat që do të marrin ata nga BE, sepse vende që janë sot anëtarë të BE e marrin të gjithë në të njëjtën kohë, në bazë të marrëveshjeve që kanë. Njëkohësisht kemi bërë tratativa për të marrë vaksina edhe drejtpërdrejt nga kompanitë farmaceutike, si: Pfizer apo Moderna”, tha fillimisht Rakacolli.

Sa i përket pasaportës së Covid, ku do shënohet se e ke marrë vaksinën, Rakacolli pranoi se për momentin në vendin tonë nuk po diskutohet për një document të tillë.

 “Nuk e kemi diskutuar ende. Kjo varet nga politikat që do të vendosin shtetet. Deri tani nuk ka një qasje të përbashkët të shteteve. Vende të ndryshme do të ndjekin politika të ndryshme. Por ajo çfarë mund të themi është se vaksinimi nuk është i detyruar dhe do të jetë falas.”-përfundoi Rakacolli.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here