Pasditen e sotme, një ngjarje e rëndë u regjistrua në Elbasan, ku një 45-vjeçar terrorizoi banorët e fshatit Selte, pasi qëlloi me breshëri plumbash në drejtim të policisë.
Mësohet se Forca të shumta policie kanë rrethuar fshatin Seltë në njësinë administrative Zavalinë ku po qëndron i fshehur 45-vjeçari Josif Kavaja i cili terrorizoi uniformat blu dhe banorët me kallashnikov përgjatë orëve të pasdites.
NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISË
“Më datë 24.12.2020, forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan kanë shkuar në fshatin Selte, Elbasan, për kontroll banese, me vendim Gjykate, në banesën e shtetasit J. K., pasi dyshohej se dispononte armë zjarri pa leje. Në momentin që shërbimet e Policisë kanë arritur në banesën e shtetasit J. K., ky shtetas, në tentativë për t’i shpëtuar Policisë, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të punonjësve të Policisë duke u rrezikuar jetën e punonjësve të policisë. Nga të shtënat nuk ka punonjës policie të lënduar. Policia Vendore ka rrethuar zonën në një perimetër të gjerë duke marrë masa sigurie për jetën e tyre dhe të qytetarëve të tjerë në atë zonë. Në ndihmë të Policisë Vendore janë nisur forcat speciale Renea. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”