Sistemi i ri i taksave/ Tabaku shpërthen në akuza ndaj qeverisë: Barrë për biznesin dhe dhuratë për oligarkët

0
250

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka vijuar edhe dje me akuzat dhe sulmet në adresë të qeverisë sa i takon sistemi të ri të taksave që pritet të aplikohet pas 1 janarit të vitit që vjen. Gjatë një prononcimi për mediat ditën e djeshme, zonja Tabaku theksoi se fiskalizimi është kosto e jashtëzakonshme për biznesin dhe që favorizon oligarkët. Madje, e prerë dhe e qartë ish-deputetja demokrate u shpreh se sistemi i ri i fiskalizimit që do të nisë zyrtarisht nga 1 janari 2021 do të kthehet në barrë për biznesin e vogël, pasi sipas saj, ka kosto shtesë dhe do të çojë në mbylljen e tyre. “Fiskalizimi është sistem që nuk funksionon; mund të ketë vetëm një apo dy vende europiane që e zbatojnë. Për biznesin e vogël kthehet në barrë. Ka një sërë elementesh, që po të mblidhen kanë kosto. Ka një përzgjedhje selektive dhe monopolizuese edhe në këtë drejtim. Në këto 8 vite kanë kaluar 4 operacione anti-informalitet. 60 biznese mbyllen në ditë, thotë Banka Botërore. Kjo kosto sjell vetëm mbylljen masive të bizneseve. Biznesi i vogël totalisht i pambështetur ka nxjerrë 100 mijë punonjës në rrugë, është në mëshirën e fatit për të mbijetuar. E kanë si dhuratë për oligarkët e tyre”, deklaroi ajo. Ndërkohë sipas Tabakut, kjo është një politikë që do t’i mbyllë qëllimisht bizneset, pasi nuk e përballojnë dot koston e eksperimenteve që qeveria luan. “Kjo është një kosto e papërballueshme për biznesin. Sot, bizneset e kanë të pamundur një kosto shtesë 2000 euro në vit. Është e papërballueshme. Ekonomia ka rënë në 7.5% në vit, ka rënë konsumi. Familjet po shpenzojnë vetëm për ushqime e ilaçe. Nuk po ndodh kudo në botë kështu. E rëndësishme për biznesin është parashikueshmëria. Biznesi duhet ta dijë se çdo ndodhë me sistemin fiskal. Këto politika pa strategji e vizion janë një dështim dhe bizneset e vogla nuk e mbajnë dot koston e eksperimenteve që këto luajnë”, u shpreh ajo, ndërsa shtoi se me PD-në në pushtet, biznesi i vogël do të ketë një bashkëpunëtor që do t’i dëgjojë. Sa u takon PPP-ve, demokratja shprehet se janë dëshmia që korrupsionin e bën qeveria dhe jo biznesi. Ndërsa e pyetur për rishikimin e buxhetit, Tabaku shprehet se pjesa për shëndetësinë vjen dy javë para përfundimit të vitit, ndërkohë që pandemia ka filluar që në mars. “Rishikimi i buxhetit tregon sesa kaotikë dhe pa vizion janë. Dy javë pas përfundimit të vitit ata kujtohen për shëndetësinë, ndërkohë që pandemia ka filluar që në mars dhe ne kemi bërë propozimet tona. Prioritet janë PPP-të që janë korruptive, ndërkohë që FMN thotë të ndalin shpenzimet prioritare. Kthimi i ligjit nga presidenti ishte i drejtë, por fatkeqësisht nuk u dëgjua”, nënvizoi Tabaku.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here