Ekspozita “Portretizim”, me piktura, skulptura dhe vizatime nga 26 artistë

0
625

Ekspozita “Portretizim”, me punë të artistëve shqiptarë vjen këtë muaj të fundit të vitit për publikun. Kuruar nga Artan Shabani ekspozita përmban punime të 26 artistëve të njohur, që janë ekspozuar në “Promenade Gallery Vlorë”. Janë punë në skulpturë, pikturë, vizatime që prezantohen për publikun. Veç veprave që janë realizuar nga autorët më parë, ka dhe punime që janë bërë enkas për këtë ekspozitë. Ekspozita që u hap më datë 20 dhjetor do të qëndrojë deri më datë 20 janar të 2021. Kuratori Artan Shabani thotë se ekspozita “Portretizim” bën bashkë 26 artistë nga breza të ndryshme të artit shqiptar. “Qëllimi i “Portretizim” është për të bërë bashkë artistët shqiptarë nga gjenerata të ndryshme. Çdo artist përfaqësohet me një ose me dy vepra në ekspozitë. Ka vepra që janë marrë nga familjarë të artistëve që janë ndarë nga jeta. Vepra e Guri Madhit është e familjes së tij, Robert Përmeti është vetë artist i veprës së tij, Mumtaz Dhrami po ashtu”, thotë kuratori Artan Shabani. Ekspozita përmban punë nga artistët Roland Arani, Arben Bajo, Llambi Blido, Julian Bleta, Lumturi Blloshmi, Ardit Boriçi, Adrian Çene, Dritan Çela, Mumtaz Dhrami, Denis Golgota, Ilmi Kasemi, Alkan Nallbani, Guri Madhi, Safo Marko, Billy Mazreku, Pandi Mele, Ramazan Memishi, Agron Polovina, Robert Përmeti, Veiz Rrapi, Isuf Sulovari, Lec Shkreli, Zef Shoshi, Sali Shijaku, Fatbardha Shkupi dhe Lekë Tasi. Ekspozita u hap në këtë kohë të vështirë prej pandemisë, por kuratori Artan Shabani shprehet se publiku ka mundësi të shikojë prurje të reja të punuara nga artistët. Një ekspozitë, që sipas tij në këtë kohë krijon mundësi që dhe njerëzit të dalin nga rutina. “Njerëzit kanë mundësi të shikojnë një prurje të re, të shikojnë një ekspozitë, të kenë mundësi të dalin nga kjo rutina e situatës së krijuar nga pandemia. Kjo ka reduktuar klimën kulturore në tërësi, madje artistët që jetojnë në Milano apo Nju Jork që marrin pjesë në këtë ekspozitë më konfirmojnë që është ndër të rrallat vente, që njerëzit shkojnë dhe vizitojnë sepse nuk ka. Shumë galeri përshembull në Itali apo Francë, apo Gjermani e Angli janë mbyllur. Kështu që kjo ekspozitë ka rëndësi për ti dhënë dhe një dozë entuziazmi dhe klimës kulturore, por dhe për vetë artistët për ti treguar që jeta vazhdon”, thotë Shabani.

Imazhi nëpërmjet portreteve

Kuratori Artan Shabani vijon se interesi për artin dhe kulturën duhet të vazhdojë. Sipas tij, pjesa më e madhe e punimeve prezantohet për herë të parë. “Pjesa më e madhe e veprave, në 95 për qind të tyre ekspozohen për herë të parë për publikun”, thotë ai. Në tekstin kuartorial thuhet se në shkollat artistike portretet ishin pjesë e rëndësishme dhe prezantuese për studentët, imazhet e atyre punëve na shoqëruan gjatë, portretet e sjella së bashku në “Promenade Gallery” ngjasojnë si figurat e mjeshtrit Benozzo Gozzoli. “Imazhi nëpërmjet portreteve është vijimësi e krejt artit pamor, portreti ngelet ndër subjektet më të trajtuara dhe me domethënie simbolike të të gjitha kohërave. Mënyrat e paraqitjes së portretit ka ndikuar “variablin e tharmit artistik” mbi të, duke ndjekur hap pas hapi zhvillimin e teknikave artistike, ndryshimin e shijeve estetike dhe përthyerjet etike të lëvizjeve të ndryshme të artit”, thuhet në tekst. Në artin tonë portretet e para i gjejmë tek Kol Idromeno, Simon Rrota, Pjetër Marubi, Ndoc Martini, Zef Kolombi, Spiro Xega, Sofia Zengo Papadhimitri, Androniqi Antoniu etj. Sipas kuratorti Artan Shabani, jo më pak të arrira janë portretet e realizuara nga artistët e tjerë të asaj periudhe si Andrea Kushi, Sadik Kaçeli, Vangjush Mio, Janaq Paço, Kristina Koljaka, etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here