Ismajli notë më të lartë se Lukaku, bëri debutim perfekt në Serinë A

0
245

Në Serinë A italiane luajnë një numër i konsiderueshëm futbollistësh shqiptarë, të cilët janë ingranuar mirë në skuadrat e tyre dhe po shfaqen si futbollistë të domosdoshëm për grupet ku ndodhen, e në të njëjtën kohë po furnizojnë me kualitet skuadrën përfaqësuese. Një pjesë kanë progres në lojën e tyre dhe kanë marrë vlerësime të larta, sikurse ndodh me Gjimshitin dhe Ismajlin, kurse ka lojtarë të tjerë që janë në qendër të kritikës si Hysaj, i cili ende s’e ka gjetur vetveten tek Napoli, kurse më keq akoma ndodhet portieri Strakosha, i cili ka humbur vendin e titullarit dhe është kthyer në zëvendësues i veteranit Pepe Reina. Një paraqitje vërtet të mirë ka bërë në fundjavën që lamë pas mbrojtësi kuqezi Ardijan Ismajli, i cili luajti titullar me Specian dhe pavarësisht se skuadra e tij humbi përballë Interit, lojtari difensiv shqiptar ia doli të markojë në mënyrë perfekte dy lojtarë shumë të fuqishëm të sulmit zikaltër sikurse janë Romelu Lukaku dhe Lautaro Martinez. Edhe Gjimshiti tek Atalanta pati një performancë cilësore duke ndihmuar Atalantën e tij të përmbyste Romën 4-1.

Ismajli debutim perfekt si titullar me Specian

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe me mbrojtësin e përfaqësueses kuqezi, Ardijan Ismajli, ndeshja e parë titullar e të cilit në Serinë A ka qenë për t’u vënë në kornize për mbrojtësin e përfaqësueses shqiptare. Skuadra e Specias me të vërtetë u mund 2-1 nga Interi, por vlerësimet për të kanë qenë të shkëlqyera, pasi ai rrallëherë u vu në vështirësi nga nja nga sulmet më të rrezikshme të Serisë A. Ismajli u përball vazhdimisht me Lukakun e Lautaro Martinez dhe ndaloi ofensivën e tyre, duke bërë ndërhyrje të sakta, ndaj nuk ishte aspak rastësi që në fund të ndeshjes, portali i “Eurosport” e vlerësoi atë me notën 6,5, shumë e lartë për lojtarin e një ekipi që u mund dhe e barazvlefshme me notën e Hakimi e De Vraj, dy lojtarët që vlerësoi më lart te skuadra fituese, ndërsa pjesa tjetër e zikaltërve kishin nota më të ulëta.“I aftë në pjesën e parë ndaj Lukakut, në tentativën e belgut për të kaluar Provedel. I vëmendshëm edhe në pjesën e dytë, me dy mbyllje shumë të mira”, shkruante portali i “Eurosport” për mbrojtësin shqiptar. Një vlerësim që shlyen deri diku pritjen e gjatë për Ismajlin, i cili vuajti infektimin me COVID dhe probleme burokratike pas transferimit duke humbur fazën përgatitore e vetëm tani ka rigjetur formën optimale sportive për të dhënë kontributin e tij për klubin e Serisë A.

Inzagi i pret “shpresat” Strakoshës: Reina është portieri ynë i parë

Skuadra e Lacios mori një fitore të rëndësishme në ndeshjen e djeshme të Serisë A, teksa mposhti me rezultatin 2-0 një rival të drejtpërdrejtë si Napoli. Ndërkohë, sërish edhe në këtë sfidë, Tomas Strakosha ishte ulur në stol dhe si titullar startoi Pepe Reina. Kjo është e disata ndeshje që portieri i kombëtares qëndron në stol, ndërsa trajneri Simone Inzagi pas ndeshjes nuk jep lajme shumë shpresëdhënëse duke theksuar se do të vijë momenti për Strakoshën, por tani nuk mund ta heq Reinën. “Reina po bën një punë shumë të mirë, Strakosha pati COVID dhe humbi shumë stërvitje. Kur ai u rikthye e futa shumë shpejt në lojë, por do të vijë sërish momenti i tij. Por, sot për sot nuk mund ta heq Reinën”, ishin fjalët e Inzagit. Hera e fundit që 25-vjeçari luante titullar ishte pikërisht ndeshja ndaj friulianëve më 29 nëntor dhe më pas plot 6 takime radhazi i ka ndjekur nga stoli, pasi trajneri Simone Inzagi ka vendosur t’i besojë veteranit spanjoll Pepe Reina, i cili po paraqitet vërtetë mirë. Mbetet të shihet se si do të reagojë Strakosha në ditët dhe javët e ardhshme, por për momentin pozitat e tij tek Lacio janë dobësuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here