“Bolero në vilën e pleqve”, çmimi për skenarin më të mirë në festivalin e Varshavës

0
538

Filmi “Bolero në vilën e pleqve” me regji nga Spartak Pecani u shfaq këto ditë, në festivalin e filmit që zhvillohet në Varshavë, Poloni. Në këtë festival filmi online, ku konkurruan prodhime të ndryshme kinematografike të huaja, vlerësimi për skenarin shkoi për filmin shqiptar. Filmi “Bolero në vilën e pleqve” skenari Linda Fejzaj dhe Spartak Pecani prodhim i shtëpisë kinematografike “Eclipse SA Film”, fitoi çmimin “Skenari më i Mirë Origjinal i një Filmi Artistik në Gjuhë të Huaj”, në “East Europe International Film Festival”, i cili u zhvillua nga 14-19 dhjetor 2020 Varshavë, Poloni. Si bashkëskenariste Linda Fejzaj shprehet se pa skenar nuk ka film, por asnjë skenar nuk shkëlqen pa lojën brilante të aktorëve, regjinë, muzikën, e më gjerë. “Si skenariste është si një pasaportë, që të jep krenari. Por le të jemi të sinqertë dhe korrekt, kjo është fitore e gjithë grupit. Pa skenar nuk ka film, por asnjë skenar nuk do të shkëlqente pa impenjimin dhe lojën e aktorëve, puna brilante e regjisorit apo dhe produksionit apo muzika”, thotë Linda Fejzaj, bashkëskenariste në film. Filmi u nominua në 5 kategori dhe në festival u shpërblye për skenarin më të mirë. Në qendër të filmit “Bolero në vilën e pleqve” është një çift pleqsh që janë të detyruar të jetojnë të vetëm në fundin e jetës së tyre edhe pse kanë tre fëmijë. Biri i tyre u siguron një punëtore shtëpie, në dukje një vajzë e qetë dhe e përkushtuar ardhur nga s’dinë se ku, por vajza e pleqve që në impaktin e parë duket se nuk e pëlqen aspak mysafiren e re në shtëpinë e prindërve, kjo do të bëjë që ajo të shko përtej pyetjeve të drejtpërdrejta, duke bërë që të zhbirojë mbi jetën e saj nga ku mëson se me kë ka të bëjë. Punëtorja që jeton në vilë ka një të kaluar të errët për mendimin e vajzës së pleqve, për më tepër edhe prirjet e saj janë në kundërshti me parimet dhe principet që ajo ka. Filmi përcjell mënyrën e sotme të të jetuarit, si dhe dramën shqiptare që kalon në modernitet ku harresa është aq e dhimbshme sa edhe gjithë dramat e tjera dhe zhvillohet aty ku ka pamundësi të marrëdhënieve familjare. Filmi me regji nga Spartak Pecani dhe në role aktorë të njohur është prodhim i shtëpisë kinematografike “Eclipse SA Film”. Në rolet e filmit përmendim aktorët Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Gentiana Ramadani, Olta Daku, Olta Gixhari, Merita Dabulla, Afrim Muçaj apo Ledjon Zoi. Muzika e filmit që po shëtiti në festivale ndërkombëtare është nga Endri Sina dhe kostumografia e Gerta Oparakut.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here