Falen detyrimet e prapambetura për pensionet e ushtarakëve/ Ligji që zhbën vendimin e Gjykatës së Lartë, marrin fund përplasjet me ISSH

0
313

Kaosi i ushtarakëve me pensionet pritet të marrë fund. Gjykata e Lartë mori një vendim tepër të diskutueshëm, ku detyroi ushtarakët e dalë në pension që të kthejnë pas paratë, për shkak të gabimit me llogaritjen. Sot që flasim shumë ushtarakë janë në procese gjyqësore me ISSH, pasi instituti në bazë të vendimit të Gjykatës së Lartë kërkon kthimin e parave. Por kjo pritet të marrë fund, pasi kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka ndërmarrë një nismë për të falur detyrimet e prapambetura. Ruçi ka depozituar një ligj, përmes të cilit kërkohet që të falen detyrimet dhe ushtarakët të mos kenë më detyrime ndaj ISSH. Pasi detyrimet u akumuluan për shkak të ndryshimeve në skemën e sigurimeve, që rrjedhimisht i nxori debitorë ushtarakët që përfitonin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. “Me ligjin nr. 9481, datë 16.02.2006 u parashikuan ndryshime në Ligjin nr. 9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Njëri qëndrim e zbatonte kufizimin për të gjithë masën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi.  Një pjesë e gjykatave mbajtën qëndrim tjetër duke shfuqizuar vendimet e ISSH për caktimin e pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi duke i llogaritur pa kufizimin e përcaktuar në nenin 11 të ligjit 8087/ 1996, që përcaktonte përllogaritjen e pensionit për çdo kategori.  Këto krijuan një pabarazi në sistemin e sigurimeve shoqërore. Ndaj kërkohet të falen detyrimet e ushtarakëve ndaj fondit të sigurimeve shoqërore të krijuara si diferencë nga rishqyrtimi i pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi të caktuara”, thuhet në dokument. Kështu duke qenë se këto detyrime u krijuan për shkak të ndryshimit në ligje dhe skemën që përllogaritë pensionet për ish-ushtarakët dhe jo për faj të neglizhencës nga përfituesit, është kërkuar falja e detyrimeve që nga viti kur u vërejtën probleme e deri më tani.

Zgjidhja e ngërçit

Në projektligj thuhet se, miratimi i tij jo vetëm do të lehtësojë pensionistët nga i gjithë ky kalavar problemesh dhe barrë shtesë financiare, por do t’u japë kohë edhe organeve që të zgjedh ngërçin e krijuar nga interpretimet e gabuar në ligje dhe ndryshimet e një pas njëshme që kanë thelluar hendekun e pabarazisë. “Ky projektligj është propozuar në kuadër të angazhimit të ndërmarrë nga qeveria shqiptare në programin politik të saj ku është parashikuar të zgjidhet ngërçi ligjor i ish-ushtarakëve. Qëllimi i këtij projektligji është t’i japë zgjidhje problematikës shumëvjeçare të kategorisë së ish-ushtarakëve, e shkaktuar si pasojë e një kuadri ligjor jo konsistente, të qëndrueshëm, i kontestuar që në fillimet e hartimit të tij dhe në vazhdimësi nga kjo kategori si dhe i gjykuar dhe rrëzuar disa herë nga gjykatat”, theksohet në dokument. Më  tej theksohet se, ky ligj nuk ka kosto financiare efektive në buxhetin e sigurimeve shoqërore, duke qenë se shuma e mësipërme nuk do të dalë nga ky buxhet pasi kjo shumë është tërhequr nga ushtarakët nëpërmjet vendimeve të formës prerë. Përkundrazi do të eliminojë edhe një lumë të madh çështjes që janë kaluar në gjykatë për këtë çështje. Sipas të dhënave të ISSH, deri në fund të muajit tetorit 2020 në total numri i procese gjyqësore, me objekt rishqyrtimi i pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi të caktuara sipas vendimeve gjyqësore të formës së prerë është 847 çështje nga të cilat janë ende në proces gjyqësor në të gjitha shkallët e gjykimit janë në total  650 çështje. Ndërkohë që në Gjykatën Administrative të Apelit janë shqyrtuar 197 çështje me  vendim të formës së prerë dhe pensionistët janë të pakënaqur dhe të zvarritur. Ndërsa mësohet se, vlera debitore e krijuar është në masën 110 milionë lekë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here