I dënuar për krime lufte/ Nënoficeri qëndron në ushtrinë e Serbisë edhe pas vendimit gjyqësor

0
32

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë ka njoftuar të mërkurën, më 11 nëntor, se nënoficerit Rajko Kozllina, i dënuar për krime lufte në Kosovë, i është ndërprerë shërbimi ushtarak profesional më 16 mars 2020, për shkak të humbjes së gradës, pa të drejtë për pension, thuhet në një përgjigje të kësaj ministrie për agjencinë Beta.

Me këtë, është konfirmuar informacioni, të cilin REL e mori nga Gjykata e Lartë, më 7 nëntor të këtij viti, se Kozllina ishte anëtar aktiv i Ushtrisë së Serbisë edhe pas shpalljes së vendimit gjyqësor.

Paraprakisht, më 11 nëntor, Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR), duke iu referuar raportit të Radios Evropa e Lirë, i bëri thirrje Ministrisë së Mbrojtjes që sa më shpejt që është e mundur të bëjë publik statusin e punës së Rajko Kozllinës në Ushtrinë e Serbisë dhe nëse ai vazhdon ta ketë gradën e nënoficerit, t’ia heqë atë urgjentisht.

Kjo organizatë ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë që të përcaktonin përgjegjësinë për arratisjen e kriminelit të dënuar të luftës, për të cilin Gjykata e Lartë ka shpallur urdhër-arrest.

“Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë janë të obliguara që të hedhin dritë mbi rrethanat, në të cilat Kozllina mbeti i punësuar në Ushtrinë e Serbisë, gjegjësisht, për atë se pse nuk po vuan dënimin me burg”, thuhet në deklaratë.

Në këtë deklaratë, YIHR ka shtuar se i dënuari e ka vendin në burg dhe jo në institucionet, të cilat janë përgjegjëse për ndëshkimin e autorëve, si dhe të shprehin respekt për viktimat e krimeve të luftës.

Kozlina u dënua me 15 vjet burgim nga gjykata, në prill të vitit 2019, për vrasjen e 15 dhe plagosjen e dy civilëve shqiptarë në Tërnje të Suharekës, në vitin 1999. Ai u dënua për shkak se urdhëroi grupin e ushtarëve që ai drejtonte, si dhe bashkë me ta edhe ai vetë, ta kryenin këtë krim.

Pasi ai nuk u paraqit në burg për vuajtjen e dënimit, Gjykata e Parë Themelore në Beograd, më 9 shtator të këtij viti, lëshoi një urdhër-arrest për Kozllinën, ndërkaq Rrjeti Ballkanik për Hulumtim (BIRN) njoftoi se ai kishte ikur nga vendi./REL

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj