“Arti tek biznesi”/ Ekspozitë me punime abstrakte të piktorit Abaz Hado në “Credins Bank”

0
989

“Arti tek biznesi” e ka titulluar piktori i njohur Abaz Hado ekspozitën e tij më të fundit personale. Piktori Abaz Hado ka një aktivitet të vlerësuar prej vitesh në art, por këtë herë ai vjen ndryshe. Ekspozita “Arti tek biznesi”, që është hapur në mjediset e “Credins Bank” prezanton 20 tablo, punime abstrakte. Ekspozita me 20 tablotë, që prezantohen për herë të parë është e kuruar nga Pandi Madhi edhe Enea Janko. Pas asaj që çeli në muajin korrik me veprat e tij, kjo është ekspozita e dytë që dr. Abaz Hado “Mjeshtër i Madh” vjen për publikun këtë kohë. Në reagimin e tij piktori thotë se të gjitha punët që prezantohen janë krijuar gjatë kohës, që po kalojmë me pandeminë. “Kjo është ekspozita ime e dytë personale që u hap pas asaj më parë te Muzeu Historik Kombëtar. Gjatë mbylljes me pandeminë unë vazhdoja të punoja me pikturat. Mendova që të realizoj disa vepra dhe gjatë kësaj kohe janë realizuar rreth 60 vepra, nga të cilat unë kam bërë një përzgjedhje dhe në këtë ekspozitë janë prezantuar 20 piktura. Janë ekspozuar në mjediset e “Credins Bank”, që ishte edhe një mendim i menaxherëve të mi Pandi Madhi dhe Enea Janku, që janë dhe kuratorët e ekspozitës”, tregon piktori Abaz Hado. I njohur me punimet e tij në grafikë, si piktor Abaz Hado thotë se këtë herë vjen ndryshe për publikun në këtë ekspozitë, që është hapur nga “Credins Bank”. Sipas tij, jo vetëm punonjës të bankës por dhe njerëzit që marrin shërbime aty mund të gjejnë veprat e tij. “Janë punime në piktura abstrakte dhe është një rrugë e re që unë e kam kërkuar, sepse t’ju them të drejtën nëse në grafikë e kam krijuar një mënyrë timen dhe një stil, ose një gjë që është e dallueshme e grafikës sime, në pikturë unë kam qenë gjithmonë në kërkim. Besoj që këtu në këto momente e kam shumë efikase, dhe besoj se kjo është rruga ime në të ardhmen”, thotë dr. Abaz Hado.

Mbështetja ndaj artit dhe kulturës

Prej vitesh banka “Credins” ka dhënë kontributin e saj në mbështetje të artit dhe kulturës shqiptare. Këtë iniciativë banka “Credins” do ta vazhdojë më tej, me projekte të tjera, duke e kthyer në një traditë. Por dhe në këto kohë të vështira të pandemisë po qëndron pranë artistëve, ku banka “Credins” hapi dyert e saj për të promovuar dhe mirëpritur në ambientet e degës qëndrore në Tiranë, ekspozitën me pikturat e artistit të mirënjohur Abaz Hado. Kjo gjë përshëndetet dhe vlerësohet nga piktori Hado, i cili thotë se ekspozita pati një impakt pozitiv. “Unë e kam hapur ekspozitën në një bankë, që ka një traditë në ndihmë të artistëve dhe mbështetje të artit. Ne zgjodhëm, që një pjesë të punimeve ti ekspozonim në “Credins Bank”, ku aty janë punonjës të bankës dhe shkojnë dhe njerëz të tjerë për shërbime. Ekspozita është mirëpritur dhe rezultati ishte shumë pozitiv, sepse iu pëlqeu dhe krijoi një ambient të bukur jo vetëm për punonjësit, por dhe ata që vinin në bankë. Sigurisht e bëri dhe efektin e marketingut dhe duke qenë se menaxherët janë dhe pedagogë të menaxhimit të artit, sigurisht arritën rezultatet”, thotë dr. Abaz Hado. Që prej vitit 1972 e deri më sot, për vite me radhë, ngjyra e individualitetit përherë i jep forcë punimeve të tij, pa humbur emocionin e krijimit. Në një material për artistin dhe ekspozitën, thuhet se koleksioni i veprave të realizuara gjatë pandemisë, sjell shpresë dhe nxit solidaritetin në periudhën që po jetojmë. “Me ekspozitën e fundit të sapo hapur në Bankën Credins, piktori Abaz Hado i është drejtuar tematikave të reja surrealiste, abstrakte, me ngjyra të qarta, të çelta, me frymë të theksuar optimizmi dhe me një teknikë të lartë profesionale, që krijon një energji pozitive gjithëpërfshirëse dhe një tërheqje të fuqishme emocionale për publikun dhe adhuruesit e artit të tij”, thuhet për ekspozitën. Stafi dhe klientë të bankës që hyjnë në ambientet e degës qendrore në Tiranë, këtë kohë shijojnë punimet e mrekullueshme të piktorit Abaz Hado.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here