Falja e gjobave për Covid-19 dhe tërmetin, ja dokumentet që dorëzon biznesi dhe qytetarët

0
29

Hyn në fuqi udhëzimi me procedurat për qytetarët dhe biznesin që do të përfitojnë në llogaritë e tyre bankare kthimin e shumës të gjobave të paguara për shkeljen e rregullave dhe akteve ligjore për parandalimin e Covid-19.

Udhëzimi i botuar në Fletoren Zyrtare është në mbështetje të zbatimit të aktit normativ të qeverisë për faljen e gjobave për ata që thyen rregullat nga 17 prilli deri në 7 tetor. Falen edhe gjobat e vendosura nga pushteti vendor për familjet e dëmtuara nga tërmeti për shkeljet gjatë riparimeve apo rindërtimit të banesave individuale.

Udhëzimi përcakton se për kthimin e shumës të gjobës, qytetarët dhe biznesi duhet të paraqesin pranë institucionit që ka vendosur masën administrative të dhënat personale, IBAN e llogarisë bankare, ndërsa bizneset duhet të paraqesin NIPT-in dhe vërtetimin e regjistrimit të tyre nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit.

Akti normativ përcakton se kthimi i shumës të gjobës të paguar në llogaritë bankare të përfituesve, por edhe kthimi i licencave apo lejeve të bllokuara të mjeteve do të kryhet brenda datës 15 nëntor.

Udhëzimi i plotë

-Individët dhe subjektet duhet të dërgojnë pranë strukturës përgjegjëse të institucionit që ka vendosur masën administrative në favor të cilit është bërë pagesa e gjobës (shkurt institucioni) këto dokumente:

a) emër mbiemër i individit/emërtim i subjektit;

b) ID kartë identiteti/NIPT;

c) IBAN;

d) emrin e bankës pranë së cilës kanë llogarinë personale/llogarinë e subjektit;

e) vërtetimin bankar që llogaria bankare ku do të arkëtohet kthimi i gjobës është aktive;

f) subjektet paraqesin edhe vërtetimin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.

-Struktura përgjegjëse e institucionit harton urdhërpagesën për vlerat totale për çdo bankë të nivelit të dytë ku është kryer arkëtimi i gjobës, duke i bashkëlidhur listën emërore të përfituesve për bankën respektive. Urdhërpagesa për kthimin e gjobave subjekteve shoqërohet me vërtetimin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dhe vërtetimin bankar.

-Pas konfirmimit nga strukturat përgjegjëse për Thesarin në degë, strukturat përgjegjëse të institucionit dërgojnë paralelisht listën emërore të individëve përfitues në bankën respektive të nivelit të dytë.

-Institucionet me vetëfinancim që operojnë me llogari bankare të veçantë nga llogaria e unifikuar e Thesarit “Depozitë e qeverisë”, në Bankën e Shqipërisë, zbatojnë procedurat e tyre të miratuara nga titullari.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj