“Reja e drurit Tirana” është vepra e artit, që pritet të inaugurohet të premten. Një vepër e artistit të njohur Martin Steinert, i cili prej disa ditësh është në Tiranë duke punuar me veprën e tij me material druri. Skulptori Martin Steinert po instalon një skulpturë të përkohshme prej druri në sheshin “Skënderbej”. Në një proces artistik do të lindë një re druri “wooden cloud”, ku sipas artistit mund të marrë pjesë çdokush. Në ditët e ndërtimit të saj, qytetarët mund të shkruajnë në elementet e drunjta të resë dëshirat, mendimet dhe ëndrrat e tyre rreth temës “Perspektiva: Evropa”, e ku artisti më pas i përdor ato për të kompozuar strukturën e përgjithshme. Artisti gjerman Martin Steinert po vijon punën e tij në Tiranë, ndërsa për veprën e tij edhe koordinatori Genc Mulliqi shprehet se është diçka e veçantë. Me vepra re druri në disa shtete të botës, këtë herë kjo vepër po bëhet në Tiranë dhe skulptori Martin Steinert vjen për herë të dytë në kryeqytet pas shkurtit të këtij viti. Në një reagim të tij ai thotë se kjo është një skulpturë e hapësirës publike dhe në të ka një lloj koleksioni të dëshirave, urimeve, etj, që përbën dhe shpirtin e kësaj pune. “Kjo është një skulpturë e hapësirës publike. Është një farë koleksioni që i bën mendimeve, dëshirave, urimeve, frikërave apo gëzimeve që kanë njerëzit dhe që i shprehin me mesazhet që ata kanë. Dhe ky koleksion është shpiti i kësaj pune dhe sigurisht bëhet dhe një krahasim në qytete të tjera. Ka një situatë dhe interesante për të parë, se si reagohet mbi këtë instalacion nga një vend në tjetrin. Është diçka e mrekullueshme kur shikoj, që njerëzit e pranojë këtë skulpturë dhe bëhen pjesë e saj. Jetohet me publikun si vepër arti dhe kjo më pëlqen”, thotë skulptori gjerman. Vepra e artit inaugurohet nesër, ndërsa në punën e saj merr pjesë dhe arkitektja Maria Kiefer, si asistente.
Ideja dhe vepra
Si përfaqësues i Universitetit të Arteve në këtë projekt, pedagogu dhe skulptori Genc Mulliqi shprehet se punët e Martin Steinert janë me vlerësime në botë. Në reagimin e tij ai tregon se me artistin Steinert u njoh në një ekspozitë, ku i propozoi që të vinte për një vepër dhe në Tiranë, projekt që më pas gjeti dhe mbështetjen e bashkisë. “Me artistin Steinert unë jam njohur në një ekspozitë në Itali para tre vitesh dhe duke i parë ato projekte që ai ka bërë më parë të kësaj teme, që i quan reja e drurit në qytete të ndryshme të botës, unë ftova atë që të vinte dhe ta bëjë këtë projekt edhe në Tiranë, sepse më pëlqeu si ide. Vepra është diçka e veçantë. Ai erdhi në shkurt biseduam me Bashkinë e Tiranë dhe Ambasadën Gjermane dhe u vendos që projekti të zhvillohej. Unë shoh një vepër arti në mjedis publik, që janë të rralla tek ne, një vepër pa pretendime kostoje. Me një interakasion shumë të mirë dhe të shëndetshëm me publikun, që është dhe qëllimi saj dhe një mesazh estetik të këndshëm për qytetin. Unë e shoh mjaft mirë këtë vepër”, thotë koordinatori Genc Mulliqi. “Reja e drurit- Tirana” përurohet nesër, ndërsa para se të vinte në Tiranë artisti gjerman ka qenë në Pragë për veprën e tij. Sipas koordinatorit Genc Mulliqi retë e ndërtuara prej tij kanë forma të ndryshme, por koncepti është reja e drurit. Martin Steinert vjen nga Saarland, studioi histori arti në Universitetin e Saarbrucken, dhe që prej vitit 1988 është skulptor në krijimtari të lirë. Skulpturat e tij prej druri ai i ka instaluar tashmë në qytete të ndryshme të botës si në Berlin, Ramallah dhe Shën Petersburg, Paris, etj. Projekti është në kuadër të “Tetorit Gjerman”, me mbështetjen e Bashkisë Tiranë dhe partner Universitetin e Arteve, Tiranë.