Marrëveshje me COVAX për vaksinën, qeveria çon dokumentin në Kuvend

0
246

Qeveria shqiptare ka çuar në Kuvend marrëveshjen për blerjen e vaksinën kundër koronavirusit. Shqipëria ka nënshkruar marrëveshjen me kompaninë Covax për të siguruar vaksinën anti-Covid.

Në këtë marrëveshje marrin pjesë 890 shtete përfshirë vendet e Bashkimit Europian të cilët janë angazhuar financiarisht për të siguruar vaksinën. Sipas Komitetit të Ekspertëve ky angazhim jep mundësinë që edhe vendi ynë të ketë akses në vaksinën e sigurt si vendet e zhvilluara. Në projektligj theksohet se shuma totale që do të paguajë shteti shqiptar është 3 990 000 euro.

Kjo shumë do të paguhet nga buxheti i alokuar për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

“Ratifikimin e marrëveshjes së angazhimit, ndёrmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe Aleancës GAVI, për pjesëmarrjen në strukturën globale të qasjes në vaksinat COVID-19 (Covax Facility), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji” thuhet në projektligjin që do të miratohet në Kuvend.

Në relacionin shoqërues theksohet se miratimi i këtij projektligji nuk është parashikuar në programin analitik të projekt-akteve të Këshillit të Ministrave të vitit 2020 dhe lind për shkak të urgjencës që paraqet prokurimi i vaksinës kundër COVID-19.

“COVAX” është krijuar si një mekanizëm global për të nxitur zhvillimin e shpejtë të vaksinave kandidate ndaj COVID-it, prodhimin në masë të gjerë të vaksinave të certifikuara dhe shpërndarjen e shpejtë e të barabartë për të gjitha vendet. GAVI është një partneritet global, i cili ka në përbërje të tij organizata të specializuara të Kombeve të Bashkuara, si OBSH, UNICEF, Banka Botërore si dhe partnerë të tjerë që merren me kërkimin dhe zhvillimin e produkteve mjekësore dhe programeve të shëndetit publik.

“Për Shqipërinë, anëtarësimi në këtë Aleancë dhe prokurimi i vaksinës nëpërmjet këtij mekanizmi ofron një vaksinë të sigurt dhe të certifikuar. Gjithashtu, kjo alternativë është më fleksibël dhe nuk ka kosto shtesë për shtetin shqiptar (kostoja finale është e njëjtë). Qëllimi i COVAX-it është përveçse prokurimi i një vaksine të sigurt kundër COVID-19 edhe sigurimi i kësaj vaksine te të gjitha shtetet, pavarësisht ekonomisë së tyre” thuhet më tej në relacion

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here