TOB: Koncerti “Agnus Dei” i dedikohet familjarëve që kanë humbur të dashurit e tyre gjatë kësaj periudhe të vështirë

0
28

Koncerti “Agnus Dei” vjen këtë mbrëmje në programin artistik të Teatrit të Operës dhe Baletit. Ansambli i Harqeve dhe Orkestra Simfonike e TOB në koncertin këtë mbrëmje që vjen online, ku nuk mungojë dhe zërat e solistëve të njohur. Solistët dhe kori do të interpretojnë pjesë nga autorët e njohur botërorë si Handel, Bach, Mozart dhe Vivaldi. Dirigjent kori Dritan Lumshi, më klaviçembalo Etrita Ibrahimi dhe solistë në koncert janë Dorina Selimaj-soprano, Ina Gaqi- mezzo soprano, Erlind Zerali- tenor dhe Bledar Domi- bass. “Agnus Dei” ishte dhe koncerti që Teatri i Operës dhe Baletit çeli sezonin artistik disa ditë më parë dhe sërish e sjell këtë mbrëmje, por në programin artistik online. Institucioni bën me dije se koncerti i mbrëmjes së sotme i dedikohet të gjithë familjeve, që kanë humbur të dashurit e tyre gjatë kësaj periudhe të vështirë. “Në ritmet e Handel-it ndihet vuajtja dhe brenga, të cilat pasohen nga alegrot e Mozart-it dhe Vivaldi-t, ku ndihet madhështia dhe lartësia e Zotit tek i cili gjejmë paqen e përjetshme. Ky koncert i dedikohet të gjithë atyre familjarëve që kanë humbur të dashurit e tyre gjatë kësaj periudhe të vështirë për të gjithë”, shkruan Teatri i Operës dhe Baletit për koncertin. “Agnus Dei” këtë mbrëmje mund të ndiqet në orën 20:30, në Facebook, Youtube dhe faqen zyrtare të institucionit. Ndërsa TOB këtë mbrëmje sjell online këtë koncert që përcjell mesazhe, ndërkohë bën me dije se formacioni i harqeve përgatitet për koncertin e radhës për publikun, nën drejtimin e dirigjentit Edmond Doko. “Përmes fotove ju sjellim ritualin e përditshëm të instrumentistëve, ritual që bën të mundur performancën ekselente para publikut”, shprehet TOB, që ka publikuar dhe foto gjatë punës së artistëve.

Sezoni artistik

Kjo mbrëmje me koncertin “Agnus Dei” vjen si një lutje drejt Zotit, për largimin e mëkateve dhe në emër të dashurisë për jetën, dhe orkestra, solistët dhe kori do të interpretojnë pjesë nga përfaqësuesit e muzikës baroke. Kur koncerti u shfaq mbrëmjen e 30 shtatorit para një publiku në Muzeun Historik Kombëtar, dirigjent kori Dritan Lumshi u shpreh se artistët mezi e prisnin rikthimin e tyre para publikut. “Pas kaq kohësh prej pandemisë ne filluam dhe mezi e kemi pritur fillimin e punës. Ne shpresojmë që gjërat të shkojnë mbarë dhe ky është një koncert, që ka pjesë nga disa autorë”, tha dirigjenti Dritan Lumshi për këtë sezon artistik, ku koncerti i parë ishte “Agnus Dei”. Teatri i Operës dhe Baletit pas disa muajsh erdhi me artistët para publikut, pasi aktivitetet kanë qenë ndërprerë për shkak të pandemisë. Me nisjen e sezonit të ri artistik disa ditë më parë, Teatri i Operës dhe Baletit shprehej në Facebook se “Agnus Dei” dhe muzika baroke ishin kryefjala për rikthimin e artistëve në skenë para publikut. “Emocionet janë të shumta para shfaqjes së parë që do të hapë sezonin artistik 2020-2021 të TKOBAP. Urojmë që kjo shfaqje të jetë një ogur i mbarë për vijimin e jetës artistike pas situatës së pazakontë me të cilën artistët dhe publiku u përballën për shkak të pandemisë”, shprehej institucioni. Si institucioni më i madh muzikor dhe skenik i vendit, TOB vendoset në godinën e Pallatit të Kulturës, në vitin 1966, aty ku edhe sot vazhdon aktivitetin e tij. Prej tre vitesh stafi artistik i Teatrit të Operës dhe Baletit si dhe artistët e Ansamblit Popullor zhvilluan provat për aktivitetin artistik në ish-Kinostudio dhe tashmë të gjithë sektorët artistikë janë në godinën e rregulluar.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj