Botuesit: Panairi i 23 të Librit -Tirana 2020, do të zhvillohet online

0
32

Panairi i 23 i Librit në Tiranë do të zhvillohet online. Shoqata e Botuesve Shqiptarë bën me dije se do të zhvillojë panairin këtë vit, duke theksuar se kjo ngjarje nuk duhet ti mungojë Tiranës. Njoftimi për panairin erdhi pas një mbledhje të zgjeruar e kryesisë së Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, me temë organizimi online i Panairit të 23 të Librit të Tiranës, në kushtet e pandemisë covid-19. Shoqata e Botuesve Shqiptarë njofton se panairi i këtij viti do të jetë një edicion special. “Të bindur që Panairi i Librit është një ngjarje madhore, e cila nuk duhet t’i mungojë qytetit të Tiranës, por edhe lexuesve nga gjithë vendi, të gjithë të pranishmit ishin të një mendjeje për organizmin, në ditët e caktuara që më parë, të një Panairi Libri, kësaj here në një edicion special, kryesisht online, për shkak të pandemisë. Ky panair do të karakterizohet nga një bashkëpunim i gjerë i botuesve shqiptarë”, bën me dije Shoqata e Botuesve Shqiptarë për panairin, që pritet të zhvillohet online në datat 12-15 nëntor 2020 sipas një njoftimi më parë për këtë aktivitet. Shoqata e Botuesve Shqiptarë bën me dije se që të enjten ka nisur puna për këtë edicion special, ku nuk do të mungojnë dhe aktivitetet. “Gjatë ditëve të tij, botues, shkrimtarë, poetë, përkthyes, lexues dhe njerëz të kulturës do të takohen për diskutime librash, prezantime titujsh të rinj, por edhe tryeza debatesh, në live stream, ose në mjedise fizike, duke respektuar të gjitha kushtet e sigurisë. Që sot ka filluar puna për organizimin e Panairit të Librit online. Qendra e këtyre veprimtarive do të jetë qyteti i Tiranës që këtë vit ka 100-vjetorin e tij”, njofton Shoqata e Botuesve Shqiptarë. Të mërkurën SHBSH bëri me dije se, pavarësisht gjithë interesimit dhe përgatitjeve për të bërë të mundur organizimin e Panairit të 23 të Librit, sipas planifikimit më 12-15 nëntor 2020, përgjigja që erdhi më datë 14.10.2020, nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, është negative, “për shkak të rrezikshmërisë së lartë në përhapjen e covid-19 gjatë këtij aktiviteti, në situatën në të cilën ndodhemi”. Por në mbledhjen të zhvilluar të enjten botuesit bënë me dije se panairi do të zhvillohet online.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj