Preng Çuni: Agron Tufa vuan nga kompleksi i fajeve të tij, po ushtron presion për qëllime të caktuara

0
239

Kreu i Partisë Komuniste të Shqipërisë 8 Nëntori, Preng Çuni reagoi ditën e djeshme mbi sulmet dhe akuzat e fundit që ish-kreu i Institutit për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Agron Tufa ka hedhur mbi persona të caktuar duke i akuzuar si pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit. Në një reagim për gazetën “SOT”, Çuni deklaroi se Agron Tufa tani po nxjerr të gjithë inatin dhe mllefin që i është akumuluar për gjatë gjithë këtyre viteve, duke shtuar se ai po vuan nga kompleksi i fajeve që i rëndojnë mbi supe. Sipas Çunit, presionet e ushtruara gjatë kësaj kohe nga Tufa janë për qëllime të caktuara ndaj personave konkret. “Personalisht nuk e kam njohur këtë Agronin e “Tufës” së shpifësve, të cilët shfryjnë dufin si mllef të akumuluar në vite, por kam bindjen se ashtu sikurse të gjithë spiunët ky vuan kompleksin e fajeve të tij, ndaj nuk pushon së hedhuri baltë mbi këdo. Ka qenë ndoshta ky kompleks fajësie që i rëndon çdo çast në ndërgjegjen e tij, i cili ka ndikuar që ky lehaqen të largohet e të lehë atje ku ndodhet në azil. Ky lehaqen e ka të ndaluar me ligj të publikojë dosje qofshin edhe të vërteta sepse ai ka marrë dijeni për to për shkak të pozitës shtetërore që ka patur ndaj duhet të heshtë. Por mesa duket ky i stërvitur herët me këtë lloj “zanati” kërkon të ushtrojë presion ndaj personave me qëllim të caktuar”, u shpreh Preng Çuni. Më tej, kreu i Partisë Komuniste të Shqipërisë 8 Nëntori shtoi se Tufa për vite me radhë është endur skutave për të mbledhur informacione të caktuara, e sipas tij tashmë po i hedh në tregun e industrisë dhe shpifjes. “Ky lehaqen ka “mësuar” siç duket atje ku ai ka kryer edhe studimet, sepse ky “zanat mësohet herët” dhe jo tani në këtë moshë që ai ka. Ky lehaqen siç duket për vite është zvarritur si bollë duke hyrë e dalë skutave të errëta dhe ka mbajtur shumë “shënime”, të cilat sot i hedh në tregun e insinuatave dhe shpifjeve. Ky njeri i skutave të errëta duke vuajtur kompleksin e “mëkatit të tij” nuk pushon të shpifë për gjithçka e cilindo në mënyrë që të qetësojë sadopak ndërgjegjen e tij të vrarë e shpirtin e tij të zi. Ndaj pavarësisht lajmeve të cilave ju kërkoni nuk ia vlen që t’i kushtohet kaq vëmendje kësaj vemje që është mësuar që të jetojë si miza e kalit. Këta lehaqen duhet lënë që të lehin atje ku gjenden deri sa të lodhen e të heshtin sepse ata përveçse zhurmës së lehjes nuk shkaktojnë asnjë pasojë”, u shpreh Preng Çuni për gazetën “SOT”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here