Marash Kumbulla zbarkoi dje në kryeqytetin italian, Romë, për të firmosur kontratën 5-vjeçare me verdhekuqtë, ekipin legjendar të Romës. Bëhet fjalë për huazim me të drejtë blerje sezonin e ardhshëm për 30 mln euro, të cilat shkojnë të gjitha për klubin verdheblu, duke qenë se Kumbulla është rritur në gjirin e Veronës. “Ylli” i mbrojtjes i Shqipërisë do të firmosë kontratë për pesë vite (deri në 2025) me një pagë prej 2.2 mln eurosh në sezon, plus një masë të konsiderueshme bonusesh, në varësi të performancës gjatë sezonit. Kumbulla mbërriti dje pasdite në Romë (rreth orës 16:30), ku iu nënshtrua vizitave mjekësore dhe do firmosë kontratën e re. Ai pritet të jetë menjëherë titullar në formacionin e Paolo Fonsekës, i cili luan me katër mbrojtës dhe Kumbullës do i duhet të ambientohet me këtë modul. Pas tre ditësh Roma sfidon Veronën në javën e parë të Serie A dhe nuk do ishte aspak çudi që Kumbulla të aktivizohej disa minuta dhe të debutonte pikërisht ndaj ekipit, ku kaloi gjithë vitet e karrierës së deritanishme. Ndërkohë, dokumentet e zbuluara nga gazetari i njohur italian Xhianluka Di Marzio zbulojnë se Roma ka disa vite që ndjek mbrojtësin e Kombëtares Shqiptare dhe se mund ta kishte marrë shumë më lirë, nëse do kishte lëvizur më herët.
Kumbulla në gjurmët e të madhit Naim Kryeziu
Kumbulla është shqiptari i dytë në historinë e Romës. 78 vite më parë, ngjyrat e këtij klubi i vishte një tjetër lojtar i shquar i asaj kohe, Naim kryeziu. “Raketa” nga Gjilani, në rininë e tij kishte ardhur të luante me Tiranën dhe në kohën e pushtimit të vendit tonë nga Italia (1939), një skaut i Romës e pikasi dhe e dërgoi në gjirin e ekipit. Kryeziu aktivizohej në krahun e djathtë të sulmit dhe arrintë të bënte 100 metërshin në limitin e 11 sekondave, duke iu afruar atletëve profesionistë. Ai ishte pjesë e rëndësishme e skuadrës së vitit 1941-42, kur Roma u shpall për herë të parë histori kampione e Italisë. Ai qëndroi në klubin verdhekuq deri në vitin 1948. Më pas ai iu bashkua Napolit dhe në vitin 1953 u tërhoq nga futbolli. Ish-sulmuesi provoi edhe të drejtonte Romën si trajner, duke qëndruar në krye të ekipit disa muaj në sezonin 1963-64. Më pas ai punoi shumë vite si zbulues talentesh i Romës. Kryeziu ndërroi jetë në Romë në vitin 2010 në moshën 92-vjeçare, duke qenë i fundit, që u shua nga kampionët e parë të Romës, e cila pas lajmit të vdekjes luajti me shiritin e zi në krah në një ndeshje ndaj Udinezes në nder të ish-yllit të ekipit dhe shqiptarit të vetëm të tyre në histori deri tani. Stafetën tashmë e merr një talent tjetër i madh. Marash Kumbulla do tentojë të qëndrojë në standardet e Kryeziut dhe të lërë gjurmë me fanellën e Romës. Ai do të zbarkojë sot në Romë për tu prezantuar te klubi kryeqytetas, ku do firmosë për pesë vite. Kumbulla shpreson ta përdorë Romën si një trampolinë për të arritur klube gjigante, me qëllimin për t’i shkuar deri në fund Champions League.
Ndoji nuk respekton karantinën, e gjobit policia, pritet ta ndëshkojë klubi
Italia ishte një nga më të goditurat prej koronavirusit dhe tashmë është një nga shtetet me rregullat më strikte përsa i përket karantinimit të personave të dyshuar për koronavirus. Prej këtyre rregullave e ka pësuar mesfushori i Breshias dhe kombëtares sonë, Emanuele Ndoj.Ky i fundit ka qenë me pushime në Sardenjë me Sandro Tonali dhe një shok të tyre të përbashkët, i cili më pas ka rezultuar pozitiv për koronavirus dhe sipas ligjit Ndoj dhe Tonali ishin të detyruar të izoloheshin për 14 ditë. Ky rregull nuk është respektuar nga Ndoj, i cili është pikasur nga autoritetet (nëpërmjet një liste digjitale ATS ku regjistrohen gjithë personal që duhet të karantinohen me detyrim) përpara një klubi nate në praninë e tre personave të tjerë. Kështu, ai është dërguar në komisariat ku është gjobitur për tu dërguar më pas në shtëpi. E gjithë ngjarja ka ndodhur javën e shkuar, teksa policia ka vendosur ta bëjë të ditur ditën e sotme. Përveç këtij sanksioni nga shteti italian, Ndoj e pret edhe një dënim nga ana e klubit të Breshias, që ende nuk ka dhënë një reagim final mbi këtë çështje.