Muzeu i Artit Mesjetar, turistët me interes për artin e ikonografik

0
328

Muzeu i Artit Mesjetar më qytetin e Korçës këtë sezon vere vazhdon të mirëpresë turistë të ndryshëm, që janë të interesuar për artin ikonografik. Institucioni shprehet se dhe ditët e fundit grupe me turistë të ndryshëm kanë qenë në muze, duke respektuar masat që janë vënë për pandeminë. “Muzeu i Artit Mesjetar mirëpriti një grup artistësh, të interesuar për artin ikonografik shqiptar. Si të gjithë vizitorët e tjerë, ata zbatuan masat përkatëse për parandalimin e Covid-19”, shprehet Muzeu i Artit Mesjetar, ndërsa ka publikuar në Facebook dhe disa foto me turistët. Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë është një vend mes modernes e të vjetrës, i cili, brenda ambientit të tij bashkëkohor, mban ende të gjallë frymën bizantine. I ndërtuar në vitin 1980 dhe rindërtuar në 2016-ën, ai shtrihet përgjatë bulevardit “Fan Noli”. Brenda muzeut gjenden më shumë se 7 000 vepra arti dhe objekte kulturore, kryesisht ikona si edhe punime druri, guri, metali dhe tekstili të cilat dëshmojnë një histori të gjatë të ikonografisë shqiptare. Duke filluar me Murin e Artë, i cili mbulon dy kate me lartësinë e tij prej 9.5 m, volumi dhe bukuria e koleksionit të shekullit të 16-të i ekspozuar në të është thjesht befasuese. Në vazhdim gjendet Ballkoni i Bardhë, ku ekspozohen ikonat më të vjetra të muzeut, ato të shekullit të 14-të. Këtu gjendet edhe më simbolikja ndër to, ikona e ardhur nga Kisha e Shën Mërisë. Një ikonë e rrallë, e krahasuar me pikturën e famshme të fundit të Da Vinçit, atë më të shtrenjtën në botë, “Salvator Mundi”, në këtë pikturë paraqitet Shën Mëhilli i cili në një dorë mban globin e botës me iniciale të Krishtit e në tjetrën, shpatën. Pavioni i Labirintit të Zi ekspozon punët e artistit të madh Onufri, “e kuqja” e famshme e të cilit shkëlqen si asnjëherë tjetër në këtë sfond të errët e misterioz. Ky labirint është një korridor që lehtëson kundrimin e posaçëm ndaj 20 ikonave të shekujve 16-18-të. Dhoma e Kuqe, në qendër të të cilit është vendosur ikonostasi i shekullit të 18-të i gdhendur me motive të apokalipsit, është nga mjediset më ndjellës e të ngrohtë të muzeut. Fundi i udhëtimit vjen pikërisht në Dhomën e Parajsës, një ambient hyjnor i cili mban dy kryevepra të vëllezërve Zografë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here