Ish-inspektorët e KLD të tmerruar nga drejtësia/ Nuk pranojnë të kalojnë pranë ILD, vështirësi për të zbardhur skandalet e gjyqtarëve

0
43

Aferat e shumta që kanë bërë ish-inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka bërë që ata të tmerrohen nga drejtësia e re që është krijuar. Inspektori i Lartë i Drejtësisë prej gati 3 vitesh ishte jashtë funksionit, çka solli që gjyqtarët të ishin të lirë në vendimet e tyre dhe të mos kishin asnjë kontroll. Por në mungesë të ILD ka qenë Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, të cilët kryenin inspektime, por me ndryshimet e reja ligjore dhe me ngritjen e Inspektoratit janë shtuar edhe numri i denoncimeve. Mirëpo pas ngritjes, ILD u përball me një sërë vakancash, të cilat sipas ligjit në fuqi “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, duhet të plotësohen me magjistratë nga KLGJ dhe KLP. Këto dy institucione e kanë hapur disa herë garën, por numri i aplikimeve kanë qenë zero. Por gazeta ka siguruar raportin e ILD për veprimtarinë e këtij institucioni nga muaji shkurt deri në muajin korrik të këtij viti, në të cilin theksohet se nga KLGJ është komanduar për një periudhë 6 mujore vetëm një magjistrate, Marsela Pepi. Pra, kjo gjë tregon qartë që ish-inspektorët e KLD janë të trembur nga drejtësia e re dhe nuk pranojnë që të bëhen pjesë e ILD. Por vakancat e krijuara në këtë institucion, sjellin një sërë vështirësish për të zbardhur skandalet e njerëzve të drejtësisë. “Sa i përket emërimeve për pozicioni inspektor pranë ILD-së, bazuar në nenin 209 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, jo më pak se gjysma e inspektorëve të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë janë magjistratë, të cilët komandohen në këtë detyrë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor ose Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Pjesa tjetër e inspektorëve emërohen nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë sipas procedurave të përcaktuara në ligj. Këshilli i Lartë Gjyqësor me Vendimin Nr. 69, datë 07.02.2020, ka komanduar përkohësisht si inspektor në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për një periudhë 6 mujore magjistraten znj. Marsela Pepi”, thuhet në raport.

Hapja e garës nga KLGJ dhe KLP

Por në raport theksohet se nga ana e KLGJ është rihapur disa herë gara, por numri i aplikimeve për plotësimin e këtyre vakancave ka qenë zero. Ndërsa nga ana e KLP, është hapur gara për plotësimin e 4 vakancave, ku ka komanduar prokuroren Mirela Kapo pranë ILD. “Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor në mbledhjen e datës 26.02.2020, ka vendosur të hapë procedurën e komandimit nga radhët e gjyqtarëve për 6 pozicione inspektor magjistrat, në zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, pozicion për të cilin nuk ka patur asnjë kandidaturë. Më datë 10.07.2020 Këshilli i Lartë Gjyqësor ka rihapur serish procedurën e komandimit nga radhët e gjyqtarëve për pozicionin inspektor magjistrat pranë Zyrës së ILD-së dhe deri tani rezulton se nuk ka asnjë kandidaturë të paraqitur. Nga ana tjetër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë me Vendimin nr. 37, datë 05.02.2020, ka shpallur fillimin e procedurës për plotësimin e 4 pozicioneve pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë përmes procedurës së komandimit, dhe me vendimin Nr. 77, datë 04.03.2020, ka komanduar Znj. Mirela Kapo, prokuror pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë Krujë, në pozicionin e ndihmës magjistratit pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, thuhet në raport.

Leave a Reply