Servet Pëllumbi:17 parti politike lindën në sallën 80 të godinës së KQ të PPSH-së!

0
51

Zhvillimet e vrullshme dramatike të verës së vitit 1990 do t’i hapnin shtegun pluralizmit politik dhe do të sillnin përmbysjen e sistemit komunist në Shqipëri.

Procesverbali i botuar nga DITA është marrë nga një libër i Servet Pëllumbit ku flitet për takimin aq të debatueshëm të Ramiz Alisë me intelektualët në 12 gusht të atij viti.

Kishte ndodhur ngjarja e 2 korrikut, ku pesë mijë qytetarë të Tiranës mësynë ambasadat perëndimore në kryeqytet, ishte mbajtur një miting i përzishëm në sheshin “Skënderbej”, ishte mbledhur me ngut Byroja Politike, më 26 korrik një plenum i jashtëzakonshëm i Komitetit Qendror…

Ngjarjet precipitonin me shpejtësi.

Me sa dukej, pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Perez de Kuelar dhe bisedimeve sekrete me të që vetëm mund të merren me mend, por nuk janë bërë të njohura edhe sot e kësaj dite, Ramiz Alia ndodhej në udhëkryq.

Përballë kishte murin e padepërtueshëm dhe të patundur të udhëheqjes komuniste që e tërhiqnin pas të vazhdonte i palëkundur në vijën e vjetër…

Më 12 gusht thërret një takim me intelektualët. Përballë ka Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin, akademikë dhe intelektualë të fushave të ndryshme. Kishte dhe atë që pas ndonjë viti e gjysmë do të bëhej pasardhësi i tij në krye të shtetit, Sali Berishën.

Do të kemi pluralizëm, apo jo, kjo ishte çështja. Pluralizëm mendimi apo pluralizëm politik? Mbledhja nuk e përcakton qartë përfundimin, por diçka mund të merret me mend: Ramiz Alia ka dalë i lehtësuar nga ajo mbledhje…

Nga Servet Pëllumbi

Në kushtet e rritjes së pasigurisë, të panikut dhe të varfërisë ideore, por dhe të shkëputjes fatale nga populli, më 12 gusht 1990, Ramiz Alia organizoi në Pallatin e Kongreseve një bashkëbisedim që zgjati mbi katër orë me rreth 60 “intelektualë kryesorë të Shqipërisë” dhe që bëri jehonë si diçka e rrallë.

Në mes të pjesëmarrësve ishin: Dhimitër Shuteriqi, Luan Omari, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Ylli Popa, Sali Berisha, Fatos Nano etj. Thuhej pas takimit, se R. Alia e thirri këtë takim për të dëgjuar “mendimin e mençur e të avancuar intelektual”, por dhe për t’u mbushur mendjen “konservatorëve” në Byronë Politike për të pranuar pluralizmin partiak. Mirëpo paskësh “mbetur shumë i zhgënjyer”!

Më kujtohet që rreth këtij takimi studentët e degës së filozofisë viti III-të, ku bënte pjesë dhe Azem Hajdari, me fillimin e vitit shkollor, në shtator 1990, pas leksionit të radhës të sociologjisë (kisha tre vjet që e zhvilloja këtë si kurs më vete), më pyesin për takimin dhe për çështjen e pluralizmit. Unë u dhashë mendimin tim, por studentët më thanë hollësi nga takimi që nuk i kisha dëgjuar. Pas kësaj u interesova dhe me ndihmën e Anxhelo Xhaçkës, në atë kohë gazetar i gazetës “Tirana”, organ i Komitetit të Partisë së Tiranës, sigurova një kopje të plotë të proces-verbalit.

Në thelb, takimi ishte një dështim, intelektualë që quheshin “kryesorë të vendit”, s’kishin kurajo të jepnin mendimin e tyre për pluralizmin politik! Edhe pse R. Alia në dy raste e kërkoi prej tyre një gjë të tillë. Lidhur me temën e pluralizmit politik folën kryesisht S. Berisha, L. Omari, I. Kadare dhe vetë R. Alia. Po sjell pa koment pjesë të zgjeruara nga procesverbali.

Sali Berisha: “Unë e konsideroj të domosdoshme pluralizmin e mendimit. Nuk humbet shoqëria jonë nga pluralizmi i mendimit”.

  1. Alia insiston për saktësim dhe pyet: “Pluralizmin e mendimit apo partiak”?

Berisha përgjigjet: “Jo pluralizmin partiak”.

Nuk ndryshon mendim Berisha as kur R. Alia i thotë me të qeshur: “Ore po ti je edhe malësor, or derëzi, bjeri mor copë edhe ti tani”.

Berisha reagon duke thënë:

“Unë në radhë të parë i përmbahem një shprehjeje: Never say never! Kurrë mos thuaj kurrë dhe kurrë është tjetërkund. Unë jam bindur se në stadin aktual ky popull nuk është i përgatitur edhe po t’ia japësh (është fjala për pluralizmin partiak).

Luan Omari: Unë mendoj që sistemi i një partie i përgjigjet më mirë kushteve të vendit tonë edhe për arsye se te ne partia ka një prestigj shumë të madh, është e lidhur me popullin në mënyrë shumë më të madhe dhe për shkakun tjetër që tek ne nuk ka një traditë politike, shumëpartish, nuk ka një opozitë qoftë edhe të shtytur nga ne, sikurse ka qenë në Bullgari, Rumani etj., etj.

Ramiz Alia: “Po, po”.

Një bashkëbisedues tjetër: Rruga e demokratizimit nuk është kalimi te pluralizmi politik, ne kemi mundësi brenda përbrenda nesh, të gjejmë format, mënyrat, që brenda këtij pluralizmi mendimesh të gjejmë e përsosim rrugëzgjidhjen e problemeve. Për shëmbull, një nga këto çështje ju na e trajtuat vetë, lidhur me raportin e partisë me Frontin Demokratik.

Ismail Kadare: Është një gjë absolute që inteligjenca shqiptare është për lirinë dhe pavarësinë e vendit pa asnjë diskutim dhe për këtë shtet që ekziston. Dhe është për stabilitetin e tij që të vazhdojë gjithmonë. Megjithatë, duhet pranuar se ka njerëz në Shqipëri që mendojnë të kundërtën e saj. Mendojnë nga padija disa, por gjithashtu kjo shtresë njerëzish që e mendojnë këtë nga padija, ose nga dashakeqësia e lindur….

Pak më tej I. Kadare për temën e pluralizmit bën këtë dialog me R. Alinë:

“Lidhur me këtë pluralizmin që shtruat këtu, unë nuk e kam të qartë nga ana juridike statusin e pluralizmit”, – thotë ai.

Ramizi e kupton hilenë dhe i thotë:

“Shiko, pluralizëm, status, e di që çke me të ti, çdo me thënë, s’e dike ti. Të ma thotë ndonjë njeri tjetër që s’e di, mirë, po të ma thuash ti!”.

Ismail Kadare: Ose më mirë. Ç’kuptohet me këtë fjalë te ne?

Ramiz Alia: Kuptohet që përveç se Partisë së Punës të Shqipërisë, të ketë një parti tjetër, Socialdemokrate, një parti Liberale, një parti të Gjelbër…. Problemi është këtu, ngarkesë politike ka edhe ky është i tëri politik. Ja ta përmbledh unë të tërë.

Unë mendoj që ky problem është tepër delikat dhe ne nuk duhet të pranojmë pluripartizmin. Si t’i bësh e qysh t’i bësh dredha propagandës jashtë duhet menduar, duhet reflektuar. Për ç’arsye? Çështja nuk është, të kuptohemi, se ka disa njerëz që thonë s’është ndonjë gjë, kupton, ku ka parti që mund t’i bëj ballë partisë sonë, kupton. Kështu është, s’ka parti që mund t’i bëj ballë partisë sonë.

Por, ajo që po ngul këmbë reaksioni në këtë çështje, ngul këmbë pikërisht, sepse e di që kjo është e çara e parë e madhe në unitetin kombëtar. Unë mendoj që problemi i unitetit kombëtar, sidomos për ne, sidomos për kushtet tona politike në të cilat ndodhemi, është një problem shumë i madh…

Pra, unë mendoj që në këtë çështje ne duhet të jemi unanim… Çështja e pluralizmit politik në kuptimin e mendimit, duhet përpunuar sa më thellë. Madje edhe ligji i zgjedhjeve, kush e përmendi këtu… duhet bërë që të shprehë, të pasqyrojë në një farë mënyre edhe një farë pluralizmi. Domethënë, pluralizëm në këtë kuadër të organizimit që kemi ne, kupton, por edhe duke lejuar, si të thuash, pluralizmin e mendimit individual. Si? Qysh? Tek? S’jam në gjendje t’ju them, sepse është një problem që nuk është diskutuar, nuk është shtruar konkretisht”.

***

Prof. Servet Pëllumbi thellohet edhe më tej në këtë temë, ndërsa në librin e sapobotuar pak javë më parë nën titullin “Midis realitetit dhe imagjinatës”, thotë se pluralizmi politik në Shqipër u dirigjua tërësisht nga PPSH dhe Ramiz Alia. 17 partitë e para politike, gjoja opozitare të PPSH-së u krijuan në sallën 80 të ish-Komitetit Qendror. Ja se çfarë shkruan Prof. Pëllumbi:

Është fakt që relativisht më lehtë e patën shkëputjen nga “traditat komuniste” Polonia, Çekia e Sllovakia, si ish pjesë e shtetit të Çekosllovakisë, sepse në këto vende pati përvoja të lëvizjeve demokratike. Në Poloni, bie fjala, ndikim pati veprimtaria e Solidarnostit, sindikata e parë e pavarur në bllokun lindor e drejtuar nga Les Valesa. Solidarnosti nisi të veprojë legalisht që nga viti 1981, kurse në vitin 1988 pas një greve në nivel kombëtar, detyroi Jaruzelskin të ulet në tavolinën e bisedimeve. Më 9 mars 1989 u arrit marrëveshja për reformën parlamentare dhe parlamenti u bë bi- partiak; në qershor 1989, pas zgjedhjeve parlamentare, u formua qeveria e parë jo komuniste me një program solid reformash. Les Valesa u zgjodh president!

Një proces i tillë i përshpejtuar ndodhi edhe në Çekosllovaki, që vinte nga një përvojë unikale si ajo e Pranverës së Pragës (1968). Kështu, më 17 nëntor 1989 nisën mitingjet masive të studentëve që u shoqëruan me përleshje me policinë, kurse pas tre ditësh, më 20 nëntor, numri i demonstruesve arriti deri në gjysëm milioni; pas një jave, më 28 nëntor, Partia komuniste e Çekosllovakisë shpalli heqjen dorë nga monopoli mbi pushtetin; më 10 dhjetor presidenti Husak pranoj qeverinë e parë jo komuniste dhe dha dorëheqen; më 28 dhjetor A. Dubçek, lider i “Pranverës së Pragës”, u zgjodh kryetar i parlamentit Federal; një ditë më pas, më 29 dhjetor Vaclav Havel, dramaturg dhe disident i njohur, u zgjodh në  postin e Presidentit të vendit. Pra, gjithçka ndodhi gati brenda 40 ditëve! Megjithatë, duhet nënvizuar se lëvizjet studentore, si kudo edhe tek ne, patën ndikim thelbësor, por komunizmin e rrëzuan në radhë të parë vetë “komunistët”!

Të vijmë tek përvoja shqiptare. Në kohën që vendet ish socialiste të Europës qendrore dhe lindore, përfshi dhe BS, “zienin” në vorbullën e revolucioneve demokratike, Shqipëria  vazhdonte të qëndronte plotësisht e izoluar dhe të zhytej të krizën e vet të përgjithshme duke u “ngushëlluar” me sloganin ramizist: “Shqipëria nuk është as Lindje as Perëndim ,prandaj do të vazhdojë të mbrojë socializmin  me forcat e veta”! Pas gati dy vjetësh zvarritjeje R. Alia do të deklaronte, jo pa mburrje: “Bëra aq sa munda për të evituar gjakderdhjen dhe përmbysjen e çdo gjëje në emër të një antikomunizmi primitiv…”! (Për më hollësisht shih librin: “Përmbysja e komunizmit”, 2015)

Ndërkaq, edhe pas Lëvizjes studentore të dhjetorit 1990, zvarritjet ndryshuan vetëm formën. Vërtet, u lejua nën presionin e Lëvizjes studentore që pati mbështetje të gjerë popullore, pluralizmi politik dhe krijimi i partive të tjera politike, por R. Alia u përpoq që gjithçka të ishte nën kontrollin e tij dhe të PPSH-së. Nga dhjetori deri në mars 1991 u krijuan rreth 17 parti politike, një pjesë e të cilave në sallën 80 të godinës së Komitetit Qendror të PPSH-së! Edhe “eksodi i ambasadave”, fundi qershorit- fillimi i korrikut 1991, u përdor si “valvul shkarkuese” nga të rinjtë e pakënaqur nga regjimi socialist, sepse vazhdonte iluzioni i vazhdimit të “socializmit shqiptar”që përsëri etiketohej “si kala në brigjet e Adriatikut”!

Të gjitha këto bënë që kriza të thellohej dhe të mendohej, se komunizmi në Shqipëri “ka rrënjë të thella”. Edhe pse askush nuk e dinte dhe nuk e tha sa të thella ishin…! Megjithatë, u përdor si“ “argument”, që në Shqipëri duhej shkatërruar gjithçka. Promotor i një zgjidhjeje të tillë u bë Partia demokratike, që fitoi pushtetin me zgjedhjet e 22 marsit  1992. Mjeti që u përdor: “Çeku i bardhë” dhe sindikatat e pavarura. Për pasojë në vend të reformave rigjeneruese, u zgjodh rruga e 80 përqindëshit, që u paguhej punëtorëve pa punuar. Ndërmarrje të tëra industriale u mbyllën si “jo rentabile” të shoqëruara me një lloj “lëvizjeje ludiste”, që i hapi rrugën shkatërrimit të industrisë së vendit dhe shitjes së makinerive për skrap!

Nuk u kursyen as vepra të tilla si Uzina e traktorëve në Tiranë, Uzinat e precizionit dhe stampave në Korçë, Uzina e telave të bakrit në Shkodër, metalurgjia e bakrit në Rubik e Laç, Azotiku i Fierit, plantacionet e agrumeve në bregdet  etj,etj. Ndërsa në Poloni, Çekosllvaki e gjetkë filloi të adoptohej “Shok terapia” për çmontimin e ekonomisë së komanduar dhe kalimin në ekonominë e tregut, por me theksin tek terapia, tek ne edhe pse flitej për “Shok terapinë”, theksi u vu tek Shok-u, pra tek shkatërrimi i pa shoqëruar nga terapia.

Si mbështetje “teorike” për këtë u përdor varianti i keq i Shok terapisë i ekonomistëve të Harvardit, (Xheffri Saks dhe Anders Aslund), që nuk kishte asgjë të përbashkët me synimin për të krijuar një ekonomi më progresive dhe më rentabile. Sipas tyre mjaftonte ndryshimi i shpejtë i formës së pronës “komuniste” dhe menjëherë vjen kapitalizmi triumfues dhe investimet e huaja! Pasojat ishin katastrofike dhe vështirë t’i numërosh. Gjithkush në Shqipëri, por edhe turistët e huaj, që po shtohen nga viti në vit, mund të shohin e të fotografojnë mbeturina të rrënojave të shumta të kësaj batërdie!

Rrugë shkatërruese u ndoq edhe në procesin e privatizimit. Ndërsa në Poloni, Çeki, ish-Republika Demokratike Gjermane privatizimi synonte bërjen rentabile të ekonomisë duke ua dhënë me çmim simbolik, apo dhe pa pagesë, atyre që paraqisnin plan-biznesin më të mirë, tek ne u mjaftua vetëm me ndërrimin e pronarit, proces që drejtohej nga bordet e privatizimit, në të cilët bënin pjesë deri dhe shefa policie! Mjaftonte që shteti të zhvishej nga mjetet e prodhimit dhe objektivi quhej i realizuar! Kalimi në ekonominë e tregut u bë kështu pa zgjedhur asnjë nga modelet e njohura në Perëndim, por duke u zvarritur drejt “kapitalizmit të egër”e pa rregulla!

Përgjegjësi e rëndë për klasën politike dhe qeveritarët e fillimit të tranzicionit post-komunist! Mirëpo, strategjia e shkatërrimit të gjithçkaje u inkurajua edhe nga faktorë të jashtëm shoqëruar me “premtimet lumë’! Më pas u kalua tek parimi: “Ne nuk u japim peshk të gatshëm, por u mësojmë si ta zini vetë atë”! Veçse, as kjo nuk u arrit, sepse nuk njihnin “ujërat tona”! Ndërkohë, edhe pse teza enveriste: “Edhe bar do hamë ne shqiptarët, por parimet nuk i shkelim”, u shkri si kripa në ujë, “shkatërruesit tanë” as sot nuk kanë reflektuar dhe vazhdojnë të flasin për “rrezikun komunist në Shqipëri”!

Leave a Reply