Iu soset durimi, mjekët dalin në protestë, zbardhet arsyeja

0
39

Mjekë të repartit të epidemiologjisë në qytetin e Durrësit kanë protestuar sot pasi nuk kanë marrë shpërblimin prej 1000 eurosh të premtuara nga qeveria, për shërbimin në frontin e parë të luftës kundër coronavirusit.

Sipas tyre, në qytetin e Durrësit nuk është shpërblyer asnjë nga mjekët e vijës së parë. Kreu i Konfederatës së Mjekëve në qytetin e Durrësit, Zija Alhysa ka thënë se që prej 26 nëntorit, mjekët nuk janë paguar as për orët shtesë, pavarësisht punës pa pushim të tyre.

Euronews Albania kërkoi një reagim nga Ministria e Shëndetësisë për këtë çështje, por  ministria nuk iu përgjigj interesit tonë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një komunikatë për mediat në muajin mars premtoi shpërblimi për mjekët, por këta të fundit theksojnë se nuk kanë përfituar asgjë.

“Do të ketë rritje rrogash për mjekët dhe infermierët. Ata do të paguhen 1000 euro mbi pagën e tyre për të kontribuuar në këtë luftë. Nuk e përsëris fjalën luftë për asnjë zmadhim. Nuk e zmadhoj kërcënimin e kësaj epidemie, por nuk ka diskutim që një armik që ka kapacitetin të marrë jetë njerëzish është një armik. Ne do të bëjmë çmos që ta përballojmë si një armik dhe ta vrasim si një armik, duke zvogëluar plagët dhe dhimbjen”, theksoi Rama.

Leave a Reply