Sot shënohen plot 11 vite nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe urimet për këtë ditë të veçantë. Por një urim tejet vlerësues dhe i ndierë ka ardhur nga ambasadorja e Shteteve të Bashkuar të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim.
Kjo e fundit përmes një statusi në rrjetet sociale, vlerëson punën e bërë nga vendi ynë përgjatë kësaj kohe si vend anëtar, ndërsa bën me dije se shumë shpejt NATO do të ketë “shtëpinë” e saj, pikërisht në Kuçovë.
Sipas saj, Shtetet e Bashkuara janë krenare që janë aleate me Shqipërinë. “Prej 11 vjetësh, që kur Shqipëria u bë aleate në NATO, forcat e Shteteve të Bashkuara dhe ato shqiptare kanë derdhur gjak, djersë dhe lot së bashku në Afganistan, Irak, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë dhe Letoni. Së shpejti, NATO do të ketë një ndërtesë në Kuçovë. Shtetet e Bashkuara janë krenare që janë aleate me Shqipërinë”, shkruan ambasadorja Yuri Kim.







































