Alarm në drejtësi, pas 3 emrave, SPAK nis hetimet edhe për disa gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë të ngelur në veting

0
364

SPAK pritet që t’iu prishë rehatinë gjyqtarëve dhe prokurorëve të ngelur në veting. Janë rreth 90 emra të shkarkuar nga detyra gjatë tre viteve të fundit, por të gjithë vijojnë t’i gëzojnë pasuritë miliona dollarëshe, duke mos iu futur gjemb në këmbë. Por duket se ditë të zeza e presin këtë kategori të jakave të zeza, pasi Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka hapur dosjet e para. Gazeta e deklaroi një ditë më parë se SPAK është vënë në lëvizje dhe mësohet se ditët e fundit kanë nisur hetimet ndaj dy ish-anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi e Admir Thanza, si dhe ndaj ish-anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo.

Mirëpo, mësohet se përveçse këtyre tre emrave, në skaner janë edhe disa gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë, të cilët kanë ngelur gjatë procesit të vetingut. Kjo do të thotë se nëse hetimet vijojnë me ritme të shpejta, shumë shpejt pritet të shohim frytet e para të punës së SPAK, duke qenë se hetimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të ngelur në veting kërkohet me ngulm nga Bundestagu, Brukseli, madje dhe vetë kryeministri Edi Rama. Pra, nisja e hetimeve nga ana e SPAK duket se ka vënë në alarm të ngelurit në veting, pasi nga një verifikim që ka bërë gazeta tek të gjitha vendimet e shkarkimit të dhëna nga KPK, rezulton se pjesa më e madhe e 90 gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë kryer deklarim të rremë, fshehje pasurie, falsifikim të formularit, falsifikim të dokumenteve dhe mashtrim me kreditë.

Mes emrave ka dhe të tjerë që kanë kryer evazion fiskal. Sipas parashikimeve në Kodin Penal, mosdeklarimi i pasurisë apo deklarimi i rremë dënohet deri në 3 vite burg. Falsifikimi i formularit dënohet deri në 4 vite burg, ndërsa falsifikimi i dokumentit dënohet deri në 3 vite burg. Të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar që i kanë kryer të gjitha këto vepra penale rrezikojnë deri në 17 vite burgim sapo të nisin hetimet nga SPAK. Por përveç dënimit me burg, ata rrezikojnë po ashtu që t’iu sekuestrohen pasuritë, duke hyrë në lojë këtu ligji antimafia. Kështu që, nisja e hetimeve nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është një ogur i mirë dhe dëshmon se situata në Shqipëri po ndryshon, ku pushtetarët e korruptuar nuk janë më imun para ligjit. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

Më herët, ishte kryeministri Edi Rama, i cili duke folur gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidentin e Parlamentit Europian, David Sassoli zbuloi dje se shumë shpejt SPAK do të nisë hetimet për të ngelurit në veting. “Puna jonë vijon sikur të ishin hapur negociatat sepse na e kërkon domosdoshmëria për ta kthyer vendin në shtet me standardet e BE-së. Qoftë vetingu qoftë kjo janë dardha që e ka bishtin mbrapa, nuk mbaron me kaq. SPAK-u do të thërrasë ata që janë përjashtuar se nuk justifikojnë pasurinë”, deklaroi Rama.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here