Thaçi nis takimet me liderët politikë, në fokus dialogu me Serbinë, Kurti refuzon të takohet me presidentin kosovar

0
454

Presidenti i Kosovës ka realizuar ditën e djeshme disa takime me liderët e politikës kosovare. Qëllimi i takimeve ka qenë informimi për takimet e tij në SHBA, por edhe për konsultimit dhe koordinimit për çështje të interesit shtetëror. Një nga takimet e planifikuara nga Thaçi ka qenë ai me Kryeministrin, Albin Kurti, takim që nuk u realizua dot. Zyra e Presidencës ka dhënë një lajmërim në lidhje me këtë çështje, ku theksohej se Kurti, kishte konfirmuar takimin në orën 13:00. “Po, sot ka qenë i konfirmuar edhe takimi me kryeministrin Kurti, njëherësh lider i LVV. Ky takim është anuluar vetëm pak minuta para orës 13:00”, thuhet në deklaratë. Në përgjigje të Zyrës së Presidencës ka reaguar Lëvizja VV. “Kryeministri Kurti ka deklaruar tashmë arsyet e mospjesëmarrjes në takimin me presidentin: e para ishte për faktin se sot pati deklarimin e saj në Kuvend Vasfije Krasniqi-Goodman, dhe e dyta sot presidenti paska takuar krerët e partive politike. Në këtë linjë ai ka deklaruar që si kryetar i VV nuk as interes as gatishmëri ta takojë presidentin, ndërkaq si kryeministër e ka obligim dhe këtë do ta të bëjë në një moment tjetër”, ka thënë zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka. Turin e takimeve, Thaçi e ka filluar në orën 10:30 të së hënës me kryetarin e LDK-së Isa Mustafa. “Një takim pune i shkëlqyer me ish-kryeministrin. Ne u pajtuam që të kemi një qëndrim të unifikuar për çështjet kryesore kombëtare”, ka deklaruar Thaçi pas takimit. Pas tij Presidenti u takua me liderin e opozitës, Veseli, që e ka cilësuar si një shkëmbim të frytshëm. “Qëndrimi i unifikuar midis opozitës dhe pozitës është thelbësor për çështje me interes kombëtar”, tha ai.

Takimi me Haradinaj

Thaçi ka zhvilluar një takim edhe me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se do t’i përgjigjet pozitivisht takimeve bilaterale, si të presidentit ashtu edhe institucioneve tjera. Ai shtoi se ka nisur një iniciativë për të mbajtur një konferencë pune dy ditore me liderët e partive politike parlamentare, dhe se për këtë informoi edhe presidentin Thaçi. “Kam filluar një iniciativë për konsulta edhe vet me kryetarët e partive politike parlamentarë dhe kam propozuar që të takohemi në një konferencë pune dy ditore në Kosovë që ti përafrojmë qëndrimet në rast të një ballafaqimi të Kosovës në një moment më final që të mos shkojmë të përçarë”, ka thënë Haradinaj. Ndërkohë ai iu përgjigj edhe pyetjes nëse Presidenti Thaçi ka treguar ndonjë detaj nga takimet e tij në SHBA. “Nuk ka nxjerrë ndonjë dokument, por ka treguar se është biseduar për mundësinë e ecjes përpara drejt një marrëveshje finale me Serbinë. Unë e informova se suksesi i një marrëveshje finale me Serbinë varet nga temat që trajtohen. Nëse trajtohet territori apo kufijve atëherë ky proces do të ishte i dështuar, në rast se respektohet integriteti territorial dhe Kushtetuta atëherë ka shanse”, ka thënë Haradinaj.

Takimi me Limajn

Në orët e para të pasdites, Thaçi ka takuar Kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj i cili ka thënë pas takimit se temë e bisedës ka qenë edhe dialogu Kosovë- Serbi. “Besoj se që nga momenti i letrës së presidentit Trump, gjërat kanë ndryshuar në procesin e dialogut. Fatkeqësisht, unë mendoj dhe e kam thënë edhe në vitin e kaluar, një pjesë e madhe e njerëzve nuk e kanë kuptuar drejt letrën për të kuptuar ndryshimin rreth dialogut. Besoj që është lajm i jashtëzakonshëm përfshirja e SHBA-së, në dialogun me Serbinë”, ka thënë ai para mediave. Ishte planifikuar një takim edhe me liderin e AKR-së, Behgjet Pacollin, por ky takim nuk u realizua. Presidenti bëri të ditur se takimi nuk u zhvillua për shkaqe teknike por që mes tyre ka pasur një bisedë telefonike që ka konkluduar në dakordësimin për bashkërendim veprimesh për të mirën e vendit. Pas takimeve Hashim Thaçi ka mbajtur një konferencë për media ku shprehu gatishmërinë që ta takojë sërish kryeministrin, pavarësisht anullimit të takimit nga ana e tij. “Do ta takoj kur mendon që është në interes të takohemi, por Kosova nuk ka kohë për të humbur që ti pres tekat apo huqet askujt”, ka thënë Thaçi. Presidenti është pyetur edhe rreth idesë për shkëmbimin e territoreve. “Unë e ndjej mision, bashkëngjitjen e Preshevës dhe Bujanovcit me territorin aktual të Kosovës”, tha ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here