Drejtori i Urgjencës Kombëtare zbulon çfarë e shkatërron koronavirusin para se të na infektojë/ Tregon edhe si duhet të veprojmë kur fëmijët kalojnë temperaturën 38° e gjysmë

0
387

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, u shpreh se deri më tani në Shqipëri nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus.

I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ Brataj deklaroi se këto ditë ka pasur rreth 35 raste të dyshuara, të cilëve iu është bërë analiza e koronavirusit dhe që fatmirësisht kanë rezultuar negativë.

Duke u shprehur se është normale që qytetarët të frikësohen, pasi kemi të bëjmë me një sëmundje, mjeku i QSUT i këshilloi të gjithë të përdorin sa më shumë dezinfektues, pasi sipas tij, shkatërrojnë viruset.

“Rasti i parë ishte Kina, kushdo që vinte nga atje ne vendosëm protokollin, që autokarantinën. Ne i thonim, nga momenti që vinte, se do të rrinte 14 ditë në karantinë. Virusi mund të mbijetojë disa orë, duke përdorur dezinfektues, ato shkatërrohen, ndaj dhe qytetarët duhet të përdorin sa më shumë dezinfektues”, tha mjeku.

Më tej, ai dha disa këshilla edhe për prindërit, të cilët shqetësohen për temperaturën te fëmijët e tyre, duke iu thënë që të mos i drejtohen spitalit, nëse të vegjlit e tyre nuk e kalojnë temperaturën 38 gradë e gjysmë.

Intervista:

Si e cilësoni situatën?

Është normale që të kemi frikë, sepse është një infeksion, është sëmundje. Edhe ne si vend nuk jemi hermetik, të paprekshëm. Deri në këto momente nuk ka asnjë rast të konfirmuar, se të dyshuar kemi analizuar disa prej tyre. Nëse do të jetë prezent, plani i masave vazhdon të përditësohet çdo ditë.

Numri 127 i urgjencës, sa interes ka?

Patjetër që ka një numër të rritur të thirrjeve drejt këtij numri. Filtrimi i parë është i çdo qytetari që hyn nga pikat kufitare, ku në të gjitha ka një skedë, ku qytetari shkruan nga vjen dhe ka apo jo shenja të virusit. Skeda e plotësimit të të dhënave është e njëjtë. Qytetarit i kërkohet nga vjen, sa ditë ka që ka ardhur, sepse koronavirusi shfaqet deri në 14 ditë. Ato që na telefonojnë, iu marrim skedën e parë. Qytetari që ka ardhur edhe nëse nuk ka shenja, i rekomandojnë një autokarantinë. Rasti tjetër është kur personat vijnë nga zonat e prekura dhe kanë shenja e simptoma. Këto raste janë të dyshuara dhe ne ju themi të presin ekipin, shkojmë e marrim ne.

Gripi ka sezonin, por ka pasur më tepër raste këtë vit…

Ka shumë thirrje për ndihmë. Unë kam nënën time 85 vjeç, e bëri vaksinën. Kur themi të bëhet vaksina… gripi mund të sjellë edhe vdekjen. Për fëmijët nuk duhet të shqetësoheni kur ka temperaturë, por kur nuk ka. Po nuk e kaloi 38 e gjysmë nuk është e nevojshme, do të zhvillohet fëmija. Kjo dyndje drejt QSUT, e di kur duhet të shkosh në spital, vetëm nëse ka simptoma dytësore. Temperatura nuk është dytësore, rrufa jo. Është vështirësia në frymëmarrje, në këto moment duhet ta shohë patjetër specialisti. Në rastet e tjera, e viziton mjeku ose pediatri. Nuk duhen marrë antibiotikë që në moshë të vogël. Është standard ndërkombëtar i pediatrisë temperatura 38 e gjysmë. Kur fëmija ka ethe, dridhet, mos e mbulo, zhvishe. Ka nevojë për disa kompresa me ujë të vakët, nëse arrin në 39 e gjysmë 40 gradë mund t’i vihen dhe akuj.

Masat e marra për koronavirusin, shohim në përdorim të gjerë maska, a i mbrojnë vërtet qytetarët?

Një person që nuk është i prekur, nuk ka nevojë të përdorë maska. nëse shkojmë te një rast i dyshuar, sigurisht që do i japim maskën, që të mos na infektojë edhe ne. Për çdo sëmundje infektive, jo vetëm për koronavirusin, personeli duhet të jetë detyrimisht i mbrojtur.

Sa raste kemi pasur të dyshimta?

Nuk ka në Shqipëri raste. Nëse do të ketë, do rritet niveli i masave për t’iu përballur gjendjes. Dje kishim mbi 1600 thirrje nga qytetarët, ka rritje të panikut. Ka një grup mjekësh që përgjigjen në numrin 127, që këshillojnë për koronavirusin dhe çdo shqetësim tjetër. Sa i përket rasteve, kemi pasur rreth 35 që i kemi skeduar këto ditë. Ai ka shkuar te spitali infektiv, ku janë bërë analizat. Ne e bëjmë në Shqipëri analizën e koronavirusit, tek ISHP, dhe brenda ditës del përgjigjja, brenda 8 orësh.

Sa automjete të ambulancës janë në dispozicion në Tiranë?

Në Tiranë janë 9 autoambulanca, që janë 24 orë në lëvizje. Janë mbi 600-650 thirrje në ditë, dhe mbi 100 vizita në ditë, që bëhen në banesë. Nëse e kemi futur në rrethin e rastit të dyshuar, marrim masa për vete, ka rëndësi që të punojmë në siguri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here